Botë

Moti i keq godet Greqinë, tre të vdekur,një i humbur, dëme të mëdha

07.09.2016 18:16

Tre persona kanë vdekur dhe një tjetër rezulton i humbur si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut dhe moti i keq në Greqi...

Ekipet e emergjencës deklaruan se dy gra të moshave 80 dhe 63 vjeç u gjetën të vdekura në apartamentet e tyre të përmbytur në qytetin Kalamata.

Ndërkohë, një 90 vjeçar u gjet i pajetë po në këtë zonë, më e prekura në rajonin jugor të Peloponezit.

Në veri të Greqisë, autoritetet janë në kërkim të një gruaje rreth moshës 60 vjeç, e cila rezulton e humbur që prej të mërkurës.

Ajo kishte telefonuar bashkëshortin e saj për t’i thënë se po braktiste makinën thuajse të përmbytur në mes të rrugës për të gjetur një zgjidhje, por që prej atij momenti 60-vjeçarja nuk dihet se ku ndodhet.

Pamjet në video tregojnë qartë atë që natyra ka shkaktuar, teksa banorët janë të tronditur.

Përmbytjet dhe moti i keq kanë shkaktuar dëme të shumta materiale në ndërtesa, makina dhe anije.

Humbje ka dhe në bagëti e kafshë shtëpiake. Autoritetet lokale i kanë bërë thirrje Qeverisë për shpalljen e gjendjes së emergjencës.