Shënimi i 25 vjetorit të pavarësisë, Ivanov: Qëllimet tona strategjike na bashkuan
Në akademinë solemne, e cila u mbajt mbrëmë...

Në akademinë solemne, e cila u mbajt mbrëmë me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë, presidenti Ivanov tha se shumica u befasuan nga vendimi ynë për pavarësi.
“Disa mendonin se do të bëhemi dhe do të mbetemi fusnotë në një histori të huaj. Se kapitulli për Maqedoninë përfundimisht do të përfundojë dhe do të mbyllet. Por, ne, qytetarët e Maqedonisë, vendosëm që vetë ta shkruajmë kapitullin tonë të ri në histori”.
Sipas presidentit Ivanov, me shpalljen e pavarësisë, Maqedonia ka prishur shumë plane, duke u bërë përjashtim prej shumë rregullave, me çka, nga ana tjetër ka filluar lufta për njohjen ndërkombëtare, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
“Nga fillimi i pavarësisë dikush vazhdimisht po përpiqet ta fshijë emrin tonë. Ndërsa duke e fshirë emrin Maqedonia, dikush sikur vazhdimisht po përpiqet të na i kontestojë të gjitha aspektet e identitetit tonë. Ideja për liri pati fuqi ta transformojë shoqërinë tonë. NATO ofroi siguri, ndërsa Bashkimi Europian ofroi sukses dhe mirëqenie. Prandaj, arritëm pëlqim për qëllimet tona strategjike¬, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian. Prandaj, u angazhuam për liberalizimin e ekonomisë, pluralizmin e politikës dhe evropianizimin e shoqërisë. Dhe ishim të palëkundur në realizimin e qëllimeve tona strategjike”,- tha Ivanov.
