Siria, Turqia dhe ShBA-të gati të godasin ISIS-in
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka deklaruar...
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka deklaruar se ushtria turke dhe ajo amerikane janë gati që të organizojnë një operacion ushtarak kundër “Shtetit Islamik” në qytetin Raka të Sirisë, zonë e cila konsiderohet si një prej kryeqendrave të kësaj organizate terroriste.
Kreu i Shtetit turk u shpreh se këtë çështje e kishte diskutuar me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, gjatë takimit që patën në kohën kur po zhvillohej Samiti i G20-ës në Kinë.
Gjatë fjalës së tij, presidenti Erdogan u shpreh se Turqia është tërësisht e gatshme për të kooperuar në këtë drejtim.
Ende nuk dihet se në çfarë mënyre palët do të nisin ofensivën, por zakonisht ushtria turke dhe ajo amerikane kanë mbështetur nga distanca grupime të ndryshme në luftën kundër ISIS-it, duke evituar dërgimin e trupave në terren.
Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar vazhdimisht nga ajri përmes avionëve luftarakë, ndërkohë që kanë ndihmuar me armatime dhe trajnime ushtarake, grupime të ndryshme përfshirë rebelë kurdë, sirianë etj.
Nga ana tjetër, Turqia vetëm disa javë më parë nisi një operacion në veri të Sirisë, duke dërguar tanke të shumta.
Ankaraja mbështeti nga distanca disa grupime me luftëtarë sirianë, duke marrë spastruar dhjetëra celula të ISIS-it. Gjithashtu në këto operacione u sulmuan edhe bazat e rebelëve kurdë që janë pjesë e milicisë së njohur si Njësitë e Mbrojtjes së Popullit.
Ky grup i armatosur konsiderohet një organizatë terroriste nga Ankaraja, por përgjatë viteve të fundit është mbështetur shpeshherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
