Tetovë, OENEUM mban akademi kushtuar Shën Terezës
Në ambientet e “Arabati Baba Teqe” në Tetovë...

Në ambientet e “Arabati Baba Teqe” në Tetovë, Klubi i shkrimtarëve OENEUM organizoi një akademi kushtuar shenjtërimit të Nënës Terezë.
Kryetari i OENEUM-it, Ejup Ajdini, theksoi se edhe pse Akademia e Shkencave të Maqedonisë e mohon prejardhjen e saj, shqiptare, ku vetë Shën Tereza e ka dëshmuar gjatë gjithë jetës dhe kudo se është shqiptare.
“Para dy ditëve, Vatikani i vendosi pikë anomalive dhe analfobisë ballkanike, të cilët me çdo kusht tentojnë që të ndryshojnë rrugëtimin e Nënë Terezës, dinjitetin e saj, integritetin e saj dhe veçanërisht kombëtaren e saj. Edhe sot në të ashtuquajturën akademi doli kryetari i saj me një shprehje anakronike, që ende thotë se ka një përzierje dhe ajo përzierje mund të jetë se ajo është Nëna e gjithë Botës, është nga gjaku shqiptar, ku edhe vetë ajo me rastin e marrjes së çmimit Nobël e tha: jam me gjak shqiptari”,- tha kryetari i OENEUM-it, Ejup Ajdini.
Historiani, Vebi Bexheti, u shpreh se veprimtaria e Nënës Terezë ka qenë e shtrirë në shumë vende të botës, ku ka ndihmuar persona me nevojë dhe fëmijët jetim.
“Veprat e mëdha janë zakonisht të njerëzve të vegjël dhe të kombeve jo fortë të njohur. Vepra e Nënë Terezës, që tërë jetën u kushtoi të varfërve, të sëmurëve, të braktisurve dhe fëmijëve jetim, nëse këtë veprimtari hyjnore do e zhvillonte vetëm në Shkup, në qytetin e saj të lindjes, në kryeqytetin e vilajetit të Kosovës, ose në Letnicë të Kosovës, nuk do të ishte e kësaj përmase, ideja e saj që njerëzit me nevojë duhet ndihmuar nga njeriu, e vetëdijshme se për këto duhet një sakrificë”,- theksoi historiani, Vebi Bexheti.
Kjo akademi është në vazhdën e aktiviteteve që mbahen në gjithë vendin për nder të shenjtërimit të shqiptares nga Shkupi që me veprën e saj frymëzoi gjithë Botën. (Visar Sadiki, TVM2)
