Trump vlerëson Putinin: Është lider më i mirë se Obama
Vladimir Putin është një president më i mirë se Barak Obama...

Vladimir Putin është një president më i mirë se Barak Obama. Kështu ka deklaruar kandidati republikan për president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, gjatë një forumi televiziv në të cilin mori pjesë edhe rivalja e tij demokrate, Hilari Klinton.
Duke kujtuar se Putini gëzonte 82% të mbështetjeve në Rusi, Trump theksoi se ai e zotëronte shumë mirë vendin e tij dhe se nëse do të fitonte zgjedhjet e nëntorit do të vendoste një marrëdhënie të shkëlqyer me të.
“Unë mendoj se do të kem një marrëdhënie shumë shumë të mirë me Putin dhe mendoj se gjithashtu do të kem një marrëdhënie po kaq të mirë me Rusinë. Ky burrë ka një kontroll të fortë mbi vendin e tij. Është një sistem krejtësisht i ndryshëm dhe nuk do të ndalem tek kjo, por sigurisht që nën këtë sistem, ai ka qenë një lider shumë më i mirë se presidenti ynë”,- deklaroi kandidati republikan për president të ShBA-ve, Donald Trump.
Nuk është hera e parë që miliarderi shpreh adhurim për liderin rus. Dhjetorin e kaluar, pasi Putin e cilësoi atë si një person të talentuar, Trump tha se ky ishte një nder i madh.
Manjati i pasurive të paluajtshme shkaktoi reagime të ashpra së fundmi kur i kërkoi Rusisë të gjente e-mail-et që Clinton kishte fshirë nga serveri i saj. Kandidatja demokrate u përball me kritikat e veteranëve lidhur me atë që e quajtën mungesë përgjegjshmërie në administrimin e e-maileve të klasifikuara.
"Bëra atë që duhej të bëja dhe e marr çështjen shumë seriozisht”,- u mbrojt ish-zonja e parë. Ajo tha gjithashtu se votimi i Senatit në favor të luftës në Irak në vitin 2002 kishte qenë një gabim.
Ndërsa u zotua se në Irak nuk do të dërgohen më trupa tokësore, ajo akuzoi rivalin republikan se dikur kishte mbështetur ndërhyrjen ushtarake. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
