Botë

Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, Mogherini –Hahn: zbatoni reformën në drejtësi

08.09.2016 16:42

Brukseli ia bën të qartë Tiranës zyrtare se kusht për rekomandimin e hapjes së negociatave për anëtarësim është zbatimi i reformës në drejtësi...

Mesazhi më i fortë është dhënë në Bruksel nga komisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, i cili i kërkoi autoriteteve shqiptare të kapin “peshqit e mëdhenj”, duke nënkuptuar zyrtarët e korruptuar.
 
“Kur BE kontribuon në këtë gjë, nuk e bën vetëm për të afruar sa më shumë Shqipërinë me Unionin, por e bën në interes të shqiptarëve. Nëse keni një sistem të besueshëm drejtësie, atëherë mund të tërhiqni më shumë investitorë. Prandaj, kjo reformë është e rëndësishme. Tani duhen bërë hapat e radhës”,- deklaroi komisioneri për zgjerim, Johannes Hahn.
 
Në këtë linjë kanë qenë mesazhet edhe nga përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme në Bashkiin Europian, Federica Mogerini.
 
“Besojmë se reforma në drejtësi do të ndikojë në marrëdhëniet tona ekonomike. Palët politike kanë përgjegjësi për të vënë në zbatim reformën. Ne do mbështesim Shqipërinë në këtë proces”,- tha përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme, Federica Mogerini.
 
Por, pavarësisht entuziazmit për luftën kundër korrupsionit, Rama duket se është pak skeptik mbi anëtarësimin e Shqipërisë në familjen europiane. Këtë e shprehu në momentin kur përkthyesja refuzoi ta përkthente nga shqipja në anglisht, duke i kërkuar që vetë kryeministri të fliste anglisht.
 
“Duket që ende nuk jeni gati të na pranoni”,- tha Rama.
 
“Është me rëndësi që BE të japë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave, Shqipëria do të jetë në lartësinë e duhur”,- theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Megjithatë, përtej batutave, Rama shprehu besimin se brenda 10 viteve Shqipëria do të jetë brenda BE-së. Konferenca e përbashkët u mbajt në Bruksel, pas përfundimit të punimeve të Këshillit të stabilizim–asociimit.
 
LULJETA NDOKA