Maqedoni

Maqedonia 25 vjet pavarësi, urojnë Ivanov, Dimitriev, Zaev dhe Gruevski

08.09.2016 16:45

Maqedonia ka humbur kohë të shenjtë. Tani në këto zgjedhje është pikërisht koha për të përfunduar me të kaluarën përplot pasiguri dhe të kthejmë një faqe të re...

Zgjedhjet janë një mundësi për të hapur një faqe të re. Kështu ka deklaruar kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij në akademinë solemne me rastin e 25 vjetorit të pavarësisë.
 
Sipas tij, e ardhmja e Maqedonisë varet prej qytetarëve të saj, ndërsa kriza politike, sipas presidentit Ivanov, krijoi revanshizëm në shoqëri dhe pasojë në veprimtarinë shoqërore.                                                          
                                  
“Nuk është e rëndësishme se kush do të fitojë më shumë vota dhe kush do të qeverisë deri në zgjedhjet e ardhshme, atë do t’a tregojnë qytetarët. Me rëndësi është se si do të kalojë procesi parazgjedhor dhe zgjedhor, nëse do të respektohet vullneti i qytetarëve, jo vetëm nga fituesi, por edhe nga i mposhturi. Më me rëndësi është ajo që do të pason pas 11 dhjetorit. Këto zgjedhje janë një mundësi për ta përfunduar këtë faqe të hidhur me përplot pasiguri dhe ta kthejmë një faqe të re. Qeveria e re do të ketë detyra të mëdha në shumë fusha”,- deklaroi kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov.
 
Në vijë të njëjtë është edhe kryeministri, Emil Dimitriev, i cili, përpos urimeve, theksoi se vendi ndodhet para një sfide, e cila beson se do të marrë fund në zgjedhjet e ardhshme, nga të cilat: “Republika e Maqedonisë edhe nga kjo krizë do të dalë më e fuqishme dhe do të vazhdojë të ecë nëpërmjet rrugës së trasuar për zhvillim dhe prosperitet. Përmes rrugës, e cila do të thotë reforma dhe projekte për jetë më të mirë, luftë për rritje ekonomike dhe zhvillim, betejë për vende të reja të punës dhe përkushtim për integrim të tërësishëm të shtetit tonë në NATO dhe Bashkimin Europian”,- theksoi Dimitriev. 
 
Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, theksoi se ka ardhur koha t’a shohim Maqedoninë të thurur, me prosperitet dhe të integruar.                                                                                                                                 
“Nëse themi se mjaft kemi bërë për Maqedoninë, atëherë gënjejmë edhe popullin edhe vetveten. Maqedoninë nuk mund t’a gënjejmë. Ajo e din sa ka fituar nga çka ka merituar. Për këtë, mundemi në pjesën tjetër të çështjeve të jemi më të përgjegjshëm, më serioz dhe më të angazhuar dhe të bëjmë më shumë për Maqedoninë dhe qytetarët që jetojnë këtu. Këtë do ta bëjmë vetëm duke përmirësuar gabimet e së kaluarës”,- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.                                                                                                            
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në urimin e tij me rastin e 8 Shtatorit, vlerësoi se shteti në të kaluarën u ballafaqua me sfida të shumta, por Maqedonia para tyre ka qëndruar drejt dhe u është përgjigjur të gjithave. 
 
“Që në fillim janë kontestuar simbolet tona, himni ynë, flamuri, emri, valuta, armata, policia, u kontestua aftësia e Maqedonisë për të qenë shtet i pavarur dhe i qëndrueshëm. Për këto 25 vite treguam se edhe pse nuk jemi shtet i madh me resurse të shumta, kemi shumë njerëz me zemër të madhe dhe vullnet të pathyeshëm, të cilët janë të aftë të ndërtojnë një shoqëri të fuqishme demokratike në shtetin e tyre”,- tha Gruevski. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU