Maqedoni
Lëvizja “Besa” porosit kompetentët: Merrni masa kundër ndotjes së ajrit në Pollog
09.09.2016 18:19
Lëvizja “Besa”, përmes një reagimi me shkrim, i bën thirrje Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komunës së Tetovës që ta marrin seriozisht alarmin për ndotjen e ajrit...

“Tema e ajrit të ndotur në Pollog vazhdon të mbetet alarmante. Se sa shqetësuese është situata në Pollog tregojnë të dhënat që i publikon Ministria e Mjedisit, se përqendrimi i grimcave të pluhurit në ajër ka filluar paralajmërimin e ardhjes së ditëve me ndotje të theksuar të ajrit. Edhe pse vjeshta ende zyrtarisht nuk ka ardhur, tashmë vërehet rritje disa herë më shumë e përqendrimit kancerogjen të grimcave PM-10 në ajër. Javën e kaluar ajri në Tetovë kishte grimca pm-10, dy herë e gjysmë më shumë se kufiri i lejuar. Sipas Lëvizjes “Besa”, edhe pse Ministria e Ambientit ka deklaruar se grimcat PM-10 vijnë si rezultat i komunikacionit të ngarkuar, ngrohjes me dru dhe industrisë, mirëpo origjina e ndotjes me këto përmasa në Tetovë ka vetëm një emër, dhe ajo është fabrika e përpunimit të metaleve “Jugohrom”, e cila gjendet vetëm 15 km larg Tetovës”,- thuhet në reagimin e Lëvizjes “Besa”.
Kombinati metalurgjik “Jugohrom” disa herë deri më tani ka kapërcyer afatin për vendosjen e filtrave. Në bazë të vendimit të fundit të Qeverisë, kombinati metalurgjik “Jugohrom” deri më 31 tetor duhet të vendos filtrat.
