ShBA, përkujtohen sulmet terroriste të vitit 2001
Në Shtetet e Bashkuara sot shënohet 15 vjetori i sulmeve terroriste më 11 shtator të vitit 2001, nga të cilat humbën jetën rreth 3 mijë persona...

Sulmet më 11 shtator , gjatë të cilave terroristët e al-Kaidës i rrëmbyen katër aeroplanë komercialë, ishin sulmet terroriste më vdekjeprurëse në tokën amerikane.
Dy prej aeroplanëve të rrëmbyer u përplasën në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke i shkatërruar Kullat Binjake.
Aeroplani i tretë u përplas në Pentagon në Uashington, ndërsa i katërti u rrëzua në Pensilvani, pasi udhëtarët i mposhtën sulmuesit.
Dje në Nju Jork është mbajtur një ceremoni përkujtimore për t’i nderuar 343 zjarrfikësit, që humbën jetën, kur kullat u shkatërruan dhe u rrafshuan me tokë.
Në video-fjalimin e tij javor, që është publikuar nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan, Barack Obama, tha se 11 shtatori 2001, ishte njëra ndër ditët “më të errëta në historinë e vendit tonë”, me ç’rast “afro 3 mijë jetë të pafajshme janë humbur”.
“Këtë fundjavë, ne përsëri e nderojmë kujtimin e tyre. Ne qëndrojmë me të mbijetuarit, të cilët ende bartin plagët e asaj dite. Ne u falënderohemi atyre që të parët u përgjigjën, që rrezikuan çdo gjë për t’i shpëtuar të tjerët. Ne e përshëndesim një brez të amerikanëve – burrat dhe gratë tona në uniformë, diplomatët dhe inteligjencën tonë, sigurinë e brendshme dhe profesionistët e zbatimit të ligjit – që shërbyen dhe i kanë dhënë jetët e tyre për të ndihmuar që ne të jemi të sigurt”, tha Obama.
Kandidatët presidencial Donald Trump dhe Hillary Clinotn, kanë ndërprerë fushatën zgjedhore në këtë përvjetor.
