Botë

Gjermani, arrestohen tre sirianë, dyshohet se kanë lidhje me sulmet në Paris

13.09.2016 12:54

Tre refugjatë sirianë janë arrestuar në Gjermani nën dyshimin se janë dërguar nga “Shteti Islamik” për të ndërmarrë sulme në vendin që po i strehon. Të ndaluarit janë të moshave 17, 18 dhe 26 vjeç...

“Si pjesë e një hetimi preliminar nga prokurori publik dhe Zyra federale për hetimin e krimeve janë ndërmarrë aksione në disa zona këtë mëngjes. Tre persona janë arrestuar. Ata akuzohen se janë anëtarë të organizatave terroriste”,- deklaroi ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas De Maiziere.
 
Arrestimet u kryen në saksonin e poshtme dhe në landin Schlesëig-Holstein. Sipas prokurorëve federalë, deri tani nuk janë gjetur dokumente mbi urdhra apo misione konkrete, megjithatë policia raportohet të ketë siguruar materiale të shumta të cilat duket se i lidhin të rinjtë me ISIS-in. 
 
Tre të arrestuarit mendohen të kenë hyrë në Gjermani në muajin nëntor. Qëllimi i tyre ka qenë të përmbushnin një urdhër të mëparshëm të krerëve të “Shtetit Islamik” ose të prisnin për udhëzime të mëtejshme. 
 
Njëri prej tyre, i identifikuar si Al-H., besohet të jetë stërvitur nga ISIS-i në Raqqa shtatorin e 2015-ës mbi mënyrën e përdorimit të armëve dhe eksplozivëve.
 
Një muaj më vonë, së bashku me dy të dyshuarit e tjerë, ai duket të ketë rënë dakord me planin e udhëtimit drejt Europës, ku të ndërmerrnin operacione apo sulme në zona që janë jashtë kontrollit të grupit xhihadist.
 
LEUNORA KALIQI