Maqedoni

Debati për ndryshimet kushtetuese, përplasje mes Osmanit dhe opozitës shqiptare

19.12.2018 17:57

Debati në Komisionin për ndryshimet kushtetuese ka ndezur debatin e ashpër mes opozitës shqiptare dhe përfaqësuesve të qeverisë...

E filloi Fadil Zendeli duke e akuzuar kryeministrin, Zoran Zaev, se përmes veprimeve të tij politike nuk po arrin të tejkalojë veten dhe të promovojë një shoqëri për të gjithë, por po mundohet që përmes disa neneve tjera t’i rregullojë kërkesat e shqiptarëve.
 
“Kryeministri në debatet publike e ka potencuar se për bashkësitë e tjera etnike, identiteti i tyre mbrohet në nenin 48. Neni 48 i Kushtetutës ka të bëjë me marrëdhëniet e brendshme brenda republikës, prandaj edhe në debatet kam kërkuar që përveç maqedonasve, kujdesi të jetë edhe për të tjerët”,- tha deputeti i Besës, Fadil Zendeli.
 
Por, në këtë fjalim të Zendelit ka reaguar zëvendëskryeministri, Bujar Osamani, i cili ka pohuar se Demokracia njeh numra dhe jo vetëm idetë e mira dhe se akuzat e tij janë të pabaza. 
 
“Ju mund t’i keni amendamentet më të bukurat, më të mirat, por nëse ato amendamente nuk arrijnë 80 deputetë, atëherë ju e dështoni procesin. Neni 1, Alinea 3, thotë: nënshtetësia është e Maqedonisë, vizë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ashtu siç do të evidentohet në dokumentet e udhëtimit. Prandaj nuk shoh ku është këtu vërejtja, për shkak se këtu është vetëm në elaborimin e Marrëveshjes së Prespës, që është dokument i ratifikuan nga Parlamenti por edhe nga vet ju personalisht”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
 
Zendeli ka kundër-replikuar duke ia kujtuar Osmanit se ndryshimet kushtetuese dhe Marrëveshja e Prespës janë dy gjëra të ndara.  
 
“Unë nuk dëgjova asnjë argument për atë që e potencova, mos thirreni te Marrëveshja e Prespës, sepse Marrëveshja e Prespës është diçka tjetër, ndërsa amendamentet kushtetuese janë diçka tjetër. Te Marrëveshja e Prespës atë që dëshironi ta shihni si ndryshim kushtetues nuk thotë Maqedonisë, por maqedonas, lexojeni!”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
 
Akuza të rënda drejt kryeministrit Zaev ka drejtuar edhe lideri i ASh-së, Zijadin Sela, i cili ka pohuar se Zaevi po tregon se shumë është i interesuar për maqedonasit por shumë pak për shqiptarët.
 
“Kryeministri i tanishëm, ose opozitar i atëhershëm, nga një koncept qytetarë, është shndërruar në një person nga i cili mbron koncept një-etnik, mono-etnik apo nacional-maqedonas. Dhe e keqja është se ua imponon edhe të tjerëve maqedonizmin. Ne nuk kemi probleme me askënd që dëshiron ta mbrojë identitetin e tyre, ama kemi shumë punë kur dikush godet në identitetin tonë”,- tha deputeti i ASh-së, Ziadin Sela.
 
Por, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, u shpreh i habitur se si mundet një parti politike shqiptare të jetë kundër përmbylljes së kësaj marrëveshje dhe shtoi se në të gjithë këtë proces ka një dorë të fshehur që po tenton ta ndalë këtë proces. 
 
“Nëse ka të lumtur nga përfundimi i këtij procesi janë shqiptarët, nëse ka interes më të madh strategjik të pastër etnik shqiptarë është anëtarësimi në NATO. Unë personalisht mendoj se ka një dorë të fshehur në këtë proces që po tenton që në ditët e fundit këtë proces ta kompromitojë”,- tha  zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
 
Në mbrojtje të Zaevit doli edhe deputetja e LSDM-së, Sonja Mirakovska, e cila theksoi se vetë kandidatura e Zaevit për çmimin NOBEL për paqe tregon se ky njeri ka bërë shumë për këtë shoqëri dhe se shqiptarët lehtë mund ta gjejnë veten në preambulën e vendit ku është inkorporuar edhe Marrëveshja e Ohrit. 
 
Shumica e deputetëve kanë bërë thirrje për një unitet gjithëkombëtar në këtë moment kur Marrëveshja me Greqinë duhet të jetësohet dhe se këto janë momente historike për Maqedoninë dhe posaqërisht këta 120 deputetë, sepse pikërisht në këtë kohë zgjidhet problemi i emrit, por edhe tejkalohen barrierat e brendshme etnike.  
 
FITIM KRYEZIU