Vazhdon protesta në Shqipëri, studentët të prerë: Plotësim pa kushte të 8 pikave
Rrëmujë në parlamentin shqiptar, deputeti demokrat gjuan me vezë kryeministrin....

Rrëmujë në parlamentin shqiptar, deputeti demokrat gjuan me vezë kryeministrin. Protesta të qytetarëve para parlamentit, kërkojnë kushte më të mira ekonomike.
Studentët në Shqipëri vazhdojnë protestën të cilën e mbështetën edhe prindërit e tyre. Ata këmbëngulin se nuk do të ndalojnë protestat deri në plotësimin pa kushte të 8 pikave. Megjithatë, nesër do të jetë dita e fundit e protestës studentore për këtë vit, për shkak të festave, por studentët do të rikthehen sërish në rrugë më 5 janar nëse deri atëherë qeveria nuk ua plotëson kërkesat.
Protesta e studentëve ka nxehur gjakrat edhe në parlamentin shqiptar, në punimet e të cilit ka marrë pjesë sot edhe opozita pas një bojkoti 6 mujor. Kreu i opozitës, Lulzim Basha, tha se PD u kthye në kuvend për studentët, por kryeministri Rama i përkujtoi opozitës se janë kthyer nga frika se ju digjen mandatet.
Gjatës kohës kur Rama po bënte këto deklarata, deputeti i PD-së, Endri Hasa, u ngrit nga foltorja dhe e qëlloi me vezë. Kjo shkaktoi ndërhyrjen e gardës që rezultoi më pas edhe me përjashtimin e deputetit për 10 ditë.
Paralelisht me seancën plenare, banorë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë kanë protestuar para parlamentit duke kërkuar kushte më të mira ekonomike dhe uljen e çmimit të karburantit. (Luljeta Ndoka, TVM2)
