“Mito Haxhivasilev Jasmin 2018”, Emin Azemi dhe Marina Kostova fitues të çmimit

21.12.2018 16:31

Emin Azemi dhe Marina Kostova janë fitues të çmimi shtetëror “Mito Haxhi Vasilev-Jasmin”...

Emin Azemi dhe Marina Kostova janë fitues të çmimi shtetëror “Mito Haxhi Vasilev-Jasmin” për vitin 2018 për realizim në sferën e gazetarisë dhe publicistikës.
 
Për arritje në fushën e gazetarisë, çmimi kombëtar iu nda gazetarit, Emin Azemi, ndërsa në sferën e publicistikës Marina Kostovës.
 
“Emri i këtij çmimi lidhet me doajenin e gazetarisë në Maqedoni të kohës së mëhershme, Mito Haxhivasilev Jasmin, dhe unë ndjehem mirë që ja sot po nderohen me çmimin, emrin e të cilit e mban edhe kjo mirënjohje. Mendoj se çmimet janë vetëm një tregues i të tjerëve ndaj nesh, sepse gazetaria është një profesion shumë fisnik  por edhe shumë i vetmuar, për arsye se ne jemi të vetmit që interesohemi për të tjerët, kurse të tjerët shumë pak për ne dhe me këtë rast ky çmim është edhe shoqëror ndaj gazetarëve”,- tha fituesi i çmimit, Emin Azemi.
 
“Kur mendoj se ku ishim dhe ku kemi arritur, gjithnjë them se çfarë kohe është të jesh i gjallë. Gjenerata ime filloi gazetarinë në fillim të pavarësimit të Maqedonisë dhe ishte privilegj i rrallë që profesionalisht të ndiqet procesi i vrullshëm i krijimit të një shteti. Besoj se askush nga ne as në ëndërr nuk ka paramenduar se në jetë do të përballemi me një regjim autoritar dhe të korruptuar nga i cili regres përjetoi e gjithë shoqëria. Në këtë regres më së shumti pësoi gazetaria”,- tha fituesja e çmimit, Marina Kostova.
 
Dy fituesit e çmimit ndajnë mendimin se profesioni i gazetarisë ndodhet para një sfide, por me shpresë se kjo gjendje do të përmirësohet në të ardhmen.
 
NAIM RAMADANI