Maqedoni

Nis shqyrtimi i pr/ligjit për media, Mançevski: synojmë depolitizim të mediave; Zaturoska: nuk jemi frenues të reformave

21.12.2018 17:00

Në Komisionin kuvendor për transport dhe lidhje nisi shqyrtimi i amendamenteve për Ligjin e mediave...

Sipas ministrit për shoqëri informatike, Damjan Mançevski, synohet depolitizimi i mediave. Sipas tij, do të duhet të shfrytëzohet ky shans për t’i dhënë fund procesit reformues të mediave.
 
“Ja përfundimisht do t’i japim fund të këtij procesi. Shpresoj se sërish të gjithë bashkë do të dëshmojmë mençuri edhe gjatë zgjedhjes së njerëzve dhe se e kemi mësuar leksionin dhe me të vërtetë partitë politike do të qëndrojmë larg këtij procesi”,- tha ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
 
Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk dëshirojmë të jemi frenues të procesit të reformave. Ata shprehen të kënaqur nga ecuria e deritanishme e ndryshimit të ligjit.
 
“Në vazhdimësi ishim në bisedime sa i përket Ligjit për shërbime audio dhe audio-vizuele, me Ministrinë e Shoqërisë Informatike. Gjatë gjithë kohës jemi cilësuar si bllokues kryesorë të këtij ligji. Konsideruam se do të duhet zhbllokuar në drejtim të reformave në media. Pamë se cilat janë amendamentet rrënjësore të cilat do të duhet të pranohen nga ana e ministrit të shoqërisë informatike dhe shohim se deri në këtë fazë po shkon ashtu siç jemi marrë vesh”,- theksoi Liljana Zaturoska nga VMRO-DPMNE.
 
Debati për amendamentet pritet të përfundojë nesër, ndërkaq ligji të votohet deri në fund të vitit.
 
MERAL ISMAILI