Maqedoni

Rasti “Lagja e trimave”, Veselinovski: Nën hijen e “27 prillit”. Nuk kërkojmë amnisti, por drejtësi

28.12.2018 18:12

Rasti “Lagja e trimave” ka mbetur nën hijen e ngjarjeve të “27 prillit” dhe amnistinë e të akuzuarve për të njëjtën...

“Ne nuk kërkojmë amnisti, por të dëshmojmë drejtësinë për këtë rast”,- deklaroi Lupço Veselinovski - avokat mbrojtës i të akuzuarit, Fadil Fejzullahu. Ai tha se nuk guxon të lejohet që pas aktvendimit të shkallës së parë lënda 14 muaj të qëndrojë në Gjykatën Penale pa mosveprim dhe vendim nga Gjykata e Apelit. Ata presin shfuqizim të aktvendimit të shkallës së parë dhe kthim të lëndës në rigjykim.
 
“I inspiruar nga revolta dhe pakënaqësia e familjarëve dhe avokatëve nga lënda “Lagjja e trimave” dhe veprimi selektiv i gjykatës, ku në rend të parë janë lënë ngjarjet e “27 prillit” në Kuvend dhe lëndët e tjera, “Lagja e trimave” është lënë në harresë në kuptimin e asaj që 14 muaj lënda akoma qëndron në Gjykatën Themelore në Shkup. Ankesat u dorëzuan në kohë, të gjitha afatet kanë kaluar. Të akuzuarit nuk bënë grevë për amnisti, por për atë që lënda sa më shpejtë të zgjidhet në Gjykatën e Apelit në bazë të ankesave tona”,- tha avokati mbrojtës, Lupço Veselinovski.
 
Veselinovski tha se lënda e “27 prillit” nuk mund të krahasohet me atë të “Lagjes së trimave”. Në gjykimin për “Lagjen e trimave” janë bërë lëshime të mëdha të natyrës formale dhe faktike, edhe pse në të dy rastet bëhet fjalë për veprën penale “terrorizëm”.
 
“Ngjarjet e “27 prillit” akuzohen për veprën penale “terrorizëm”, sikurse edhe ngjarja e “Lagjes së trimave”. Duke pasur parasysh parimet që vlejnë në Ligjin për procedurë penale, mendimi im është se në të dy rastet duhet të veprohet njësoj, ashtu siç parashihet në sistemin juridik të Maqedonisë”,- u shpreh avokati mbrojtës, Lupço Veselinovski.
 
Veselinovski rikujtoi se nga zyrtarë qeveritarë ishte paralajmëruar hetim ndërkombëtar për rastin, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim. 
 
Gjykata e shkallës së parë për këtë rast për veprën “terrorizëm” dhe “organizim terrorist”, shpalli fajtorë 33 të akuzuar. 7 prej tyre dënoi me burg të përjetshëm, vendosi për 746 vite burg, ndërsa shpalli të pafajshëm 4 persona. Në rastin “Lagja e trimave” më 9 dhe 10 maj të vitit 2015, mbetën të vrarë 8 pjesëtarë të policisë dhe 10 pjesëtarë të grupit.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI