Maqedoni
Maqedonia gjatë 2018-s, Selmani: ndryshimet kushtetuese, jo në favor të shqiptarëve; Ruzhin: u morën vendime historike
31.12.2018 16:21
Idetë se 2018-ta ishte viti i vendimeve të mëdha apo i humbjeve, vazhdojnë të ndajnë opinionbërësit e vendit...

Edhe përkundër nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, referendumit, ndryshimeve kushtetuese, analisti politik, Bashkim Selmani, thotë se në mungesë të unitetit të politikës shqiptare, Maqedonia po ndryshon kushtetutën jo në favor të shqiptarëve pasi nuk mbrohet autoktonia e tyre. Sipas Selmanit, viti që po lëmë pas la pasoja edhe në ekonomi.
“Në dhjetë vitet e ardhshme do të ketë shumë pengesa juridike të karakterit kushtetues, po ashtu edhe në nivelin ndërkombëtar, i cili në bazë të kushtetutës së Maqedonisë nuk do të ketë pozicion juridik për të mbrojtur edhe në nivelin ndërkombëtar të drejtat e shqiptarëve, prandaj mund të themi se 2018-ta ishte nga vitet më shpresëdhënëse, mirëpo edhe kësaj radhe shqiptarët edhe politikisht por edhe ekonomikisht dolën ngadhënjimtarë”,- tha analisti, Bashkim Selmani.
Por, analisti Ruzhin e thotë të kundërtën, se po punohet në marrëdhënie të mira ndëretnike. Sipas tij, Maqedonia zgjidhi problemin shumëvjeçar me emrin dhe vendosi pajtesën pas ngjarjeve të 27 prillit.
“Ishim dëshmitarë të një evoluimi të qetë të tranzicionit dhe vullnetit të mirë të qeverisë aktuale, të arrihet pajtim dhe stabilizim të gjendjes në Maqedoni. Kuptohet se tejet me rëndësi janë marrëdhëniet ndëretnike. Mendoj se ato po realizohen shkëlqyeshëm, pavarësisht disa momenteve të pakënaqësive. Në planin e jashtëm Maqedonia edhe më tej është në një pozitë të palakmueshme, pasi që në fqinjësinë tonë nuk po zhvillohet siç duhet dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, siç ishte parashikuar në Bruksel, andaj është më urgjente që vendi të marrë statusin e saj në NATO”,- u shpreh analisti, Nano Ruzhin.
Analistët, Selmani dhe Ruzhin, presin që evoluimi pozitiv politik dhe trendi i integrimeve euroatlantike të vazhdojë gjatë 2019-s.
Sipas tyre, për zhvillim shoqëror të rëndësishëm janë prosperiteti ekonomik si dhe ndërprerja e migrimit.
Në rrafshin rajonal pritet stabilitet më i madh, bashkëpunim ekonomik dhe marrëdhënie të mira politike dhe diplomatike me të gjithë fqinjët.
MERAL ISMAILI
