Maqedoni

Ligji i ri për përmbaruesit, faturat e vjetruara do të paguhen pa kamatë. Mbi 150 mijë raste nëpër gjykata presin epilog

01.01.2019 14:42

Qytetarët nga ky muaj do të jenë të liruar nga kamata për faturat e vjetruara për shërbimet komunale...

Për të gjitha vendimet e përmbarimit të lëshuara nga gjykata më 25 maj 2006, e të cilat janë të transferuara në noter ose përmbarues, qytetarëve do t’u mundësojë të paguajnë vetëm borxhin kryesor, pa kamatë.
 
Qytetarët e anketuar nga TVM2 thonë se janë lodhur nga problemet që po hasin me përmbaruesit dhe padyshim  mirëpresin ndryshimet e reja.
 
“Mirë është ajo, besoj do të jetë më lehtë, ne kemi qenë të maltretuar me këta përmbaruesit dhe mendoj se do të jetë më mirë”,- tha një qytetar.
 
“Mirë do të kishin bërë, do ishte për të gjithë mirë kjo”,- theksoi një qytetar. 
 
“Kemi borxhe shumë, kur do të na lirojnë, vetëm na ndalin nga pensioni nuk të pyesin ke apo nuk ke. Shpresoj që kjo të bëhet por se besoj”,- deklaroi një qytetar.
 
Kreditorët, si kompania EVN, Telekom, Ujësjellësi, operatorët kabllorë dhe të tjerë do të duhet të marrin vullnetarisht vendimin për tua shlyer apo jo kamatat qytetarëve.
 
Me këtë problematikë qytetarët përballen nga viti 2011, kurse numri i rasteve të regjistruara në gjykatë të cilat presin vendim për zbatim apo hyrje në fuqi  janë rreth 150 mijë lëndë. 
 
Me ndryshimet e reja ligjore kreditorëve u mundësohet që në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të dëshmisë nga ana e qytetarëve për pagesën e borxhit të mbetur,  ta njoftojnë këtë të fundit nëse ia fal apo jo kamatën.
 
ZEKIRIJA MEXHITI