Marrëveshja e Prespës, Dimitrov: Vendimi më i mirë për të dy vendet
Ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov, Marrëveshjen e Prespës e cilëson si.....

Ministri për punë të jashtme, Nikolla Dimitrov, Marrëveshjen e Prespës e cilëson si vendimin më të mirë për Maqedoninë, por edhe Greqinë. Pas disa viteve, shikuar ngjarjen në retrospektivë, sipas Dimitrovit, popujt e dy vendeve do të shtrojnë pyetjen përse kontesti për emrin nuk u mbyll më herët.
Në intervistën për agjencinë e lajmeve MIA, shefi i diplomacisë Dimitrov fton të gjitha palët në kuvend të përmbajnë ndryshimet kushtetuese, edhe përkundër bojkotit të VMRO-DPMNE-së.
“Kjo vijë e vendimmarrjes është e hollë, por kyçe dhe thelbësore. Është moment historik dhe imponon nevojën e urtësisë së madhe, përgjegjësisë dhe vizionit nga të gjithë palët që të njohin dhe bëjnë punën e duhur”,- është shprehur Dimitrov.
CIPRAS: DO TË RATIFIKOHET NË PARLAMENTIN GREK
Ndërkohë, kryeministri grek, Aleksis Cipras, në mesazhin për vitin e ri, shprehu bindjen se Marrëveshja e Prespës do të ratifikohet në parlamentin grek.
“Hap i rëndësishëm është Marrëveshja e Prespës, e cila do të ratifikohet nga Kuvendi grek, duke e mbyllur në këtë mënyrë një nga ciklet më joproduktive 30 vjeçare të mungesës së aktivitetit, gjë që i kushtoi shumë vendit tonë. Me ratifikimin e Marrëveshjes, Greqia përfundimisht e mbron trashëgiminë e madhe kulturore dhe karakterin antik grek të Maqedonisë antike, por në të njëjtën kohë edhe e siguron rolin e saj udhëheqës në rajonin e Ballkanit”,- tha Cipras.
Seanca për votimin e ndryshimeve kushtetuese do të mbahet më 9 janar. Procesi i votimit pritet të përmbyllet më së voni deri më 15 janar dhe më pas të kalojë për ratifikim në kuvendin grek. Në rast të mosmiratimit nga fqinji grek, ndryshimet kushtetuese bëhen të pavlefshme. (Meral Ismaili, TVM2)
