Festimet për Vitin e Ri pa incidente të mëdha, Spasovski: Më qetë se sa kemi pritur

01.01.2019 18:09

E qetë dhe pa incidente të mëdha ka kaluar në përgjithësi nata e Vitit të Ri në vend....

E qetë dhe pa incidente të mëdha ka kaluar në përgjithësi nata e Vitit të Ri në vend, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski, gjatë vizitës në stacionin policor në vendkalimin kufitar Bogorodica, tha se nata e mbrëmshme ka kaluar me aktivitetet e zakonshme policore.

“Nata e Vitit të Ri kaloi qetë, pa prishje të mëdha të rendit publik, madje më qetë nga parashikimet tona. Personalisht pres të kemi vit të suksesshëm në 2019 dhe të gjithë qytetarëve të vendit u uroj shumë shëndet, fat, mbarësi në shoqëri, së bashku të arrijmë të tejkalojmë të gjitha sfidat, së bashku të ndërtojmë të ardhmen e vendit tonë dhe të shijojmë sukseset që kemi arritur deri tani",- theksoi ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.

24 PACIENTË TË ALKOOLIZUAR NË TOKSIKOLOGJI

Në ndërkohë, 24  pacientë të dehur mbrëmë përfunduan në Spitalin e Toksikologjisë në Shkup, pasi e tepruan duke festuar me alkool. Por, teprimi ka qenë me masë, pasi që për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit askush prej tyre nuk u ndalua për mjekim shtesë në spital. Autoritet shëndetësore thonë se nuk kishte shumë adoleshentë të dehur, të gjithë ishin me vetëdije të plotë, ndërsa është ulur edhe numri i pacientëve që kanë përdorur substanca narkotike gjatë ndërrimit të motmoteve.

“Gjatë natës së kaluar në Klinikën e Toksikologjisë në Shkup janë pranuar gjithsej 24 pacientë, të gjithë në gjendje të alkoolizuar. Pas ndihmës së dhënë mjekësore të gjithë janë lëshuar në trajtim shtëpiak. Është ulur dukshëm numri i pacientëve të cilët kanë konsumuar lëndë të ndryshme narkotike. Këtë vit për ndërrimin  e motmoteve kemi pasur vetëm tre raste të tilla, prej të cilave dy janë dërguar në shtëpi, ndërsa një është ende në opservim të mëtejshëm”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ekipet mjekësore në Qendrën Urgjente mbrëmë kanë intervenuar po ashtu tek 60 pacientë të cilët kanë qenë të lënduar në aksidente të vogla trafiku dhe me mjetet piroteknike. Pas ndihmës së dhënë, të gjithë janë lëshuar në mjekim shtëpiak.

Edhe ekipet e zjarrfikëseve kanë intervenuar në 8 raste të zjarreve të përhapura në kryeqytet, që ishin në disa kontejnerë, në një shtyllë të energjisë elektrike dhe në oxhakun e një shtëpie. Nuk ka të lënduar, vetëm janë shkaktuar dëme materiale. (Rexhep Qamili, TVM2)