Maqedoni
Çmimet e ngrohjes qendrore, ndërmarrja e re pret licencën nga KRRE
02.01.2019 15:22
Ndërmarrja e re “Sistemet Energjetike të Qytetit”, që duhet të bëjë furnizimin me gaz natyror.....

Ndërmarrja e re “Sistemet Energjetike të Qytetit”, që duhet të bëjë furnizimin me gaz natyror dhe energji ngrohëse për qytetin e Shkupit, këtë vit pret të marrë licencën nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Për momentin qytetarët në Shkup ngrohen përmes dy ndërmarrjeve. Ata që shfrytëzojnë shërbimet e ngrohtores Shkup-Veri paguajnë pothuajse dy herë më shtrenjtë se sa shfrytëzuesit e tjerë dhe fillimi me punë i ndërmarrjes së re pritet të vejë rend në çmimin e ngrohjes qendrore në kryeqytet me krijimin e një modeli adekuat tarifor për të gjithë dhe lidhje në një sistem të vetëm ngrohjeje.
“Fatkeqësisht, Qyteti i Shkupit ende nuk ka kompetenca të mund të ndërhyjë në çmimet e ngrohjes qendrore, por pikërisht për këtë arsye formuam Shoqërinë Aksionare “Sistemet Energjetike të Qytetit” dhe për momentin presim dritën e gjelbër për të marrë licencën dhe ne të jemi ata të cilët do të menaxhojmë rrjetin e ngrohtoreve në Qytetin e Shkupit”,- tha zëdhënësi i qytetit të Shkupit, Valon Salihu.
Vazhdon ndërkohë edhe procesi i gazifikimit të qytetit, shërbimet e të cilit në sezonin e ardhshëm të dimrit të parët do t’i shfrytëzojnë institucionet.
“Gypi i parë rreth Shkupit është në fazën përfundimtare, më pas do të fillojë inkuadrimin nëpër lagjet dhe nëpër shtëpitë. Fillimisht do të insistohet që institucionet e mëdha, të paktën që janë nën kompetencat e shtetit, të jenë të parët që do të kyçen, pasi që ata realisht janë shfrytëzues më të mëdhenj dhe pastaj do ta zhvillojmë gjithandej”,- u shpreh zëdhënësi i qytetit të Shkupit, Valon Salihu.
Me realizimin e këtyre dy projekteve në praktikë nuk ka dyshime se do të ulet ndotja enorme e ajrit në kryeqytet, theksojnë autoritet e Shkupit.
REXHEP QAMILI
