Maqedoni
Ligji për amnisti, gjykata vendos për ankesat të enjten
02.01.2019 15:34
Gjykata e Apelit të enjten do të duhet të vendosë për ankesat e të akuzuarve të cilët kërkuan por nuk përfituan nga Ligji për amnisti....

Deri më tani nuk ka numër të saktë zyrtar se sa ankesa gjithsej janë dorëzuar në gjykatë, pasi të akuzuarit kanë të drejtë në afat prej 3 ditësh pas pranimit të vendimit të parashtrojnë ankesë. Sipas informacioneve, deri në instancat më të lartë gjyqësore ankesë kanë dërguar Munir Pepic, Mitko Peshov, Aleksandar Vasilevski – Ninxha, Goranço Anegeloski – Qoseto dhe Goran Gjosevski.
Kërkesë për amnisti gjithsej kanë dërguar 66 persona, mirëpo sipas Prokurorisë Publike, amnistia deri tani i është konfirmuar vetëm 20 personave. Nga gjykata thonë se të gjitha kërkesat e tjera për të cilat nuk kanë skaduar afatet, janë në fazën e përgatitjes së vendimit dhe shumë shpejt do t’ju dorëzohen palëve.
Nga përgjegjësia penale shpëtuan 5 deputetë, por edhe udhëheqësit e protestës “Për Maqedoni të Bashkuar”, Vllado Jovanovski, Boris Damovski dhe Bogdan Ilievski. 5 të akuzuarit, ish ministri Mitko Çavkov, Igor Durllovski, Jane Cento, Igor Jug dhe Dushko Llazarov, nuk ka dërguar kërkesë për amnisti dhe kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë në gjykatë betejën ligjore për të dëshmuar pafajësinë e tyre.
Seanca e re gjyqësore është caktuar më 15 janar, kur fillon faza e fjalëve përfundimtare. Në përputhje me ligjin, të cilin kuvendi e miratoi në fund të vitit, amnistia nuk i përfshin organizatorët, ata të cilët kanë kryer dhunë dhe personat zyrtarë të cilët i kanë kaluar autorizimet e tyre.
GAZMEND KURTISHI
