Zhvillimi ekonomik, Tevdovski optimist: 2019-a do të jetë vit i ekonomisë
Ai në një intervistë për Televizionin e Maqedonisë theksoi se këtë vit rroga mesatare u rrit për 5.7%....

Realizimet e projektuara financiare për vitin 2018 janë të kënaqshme për ministrin e financave, Dragan Tevdovskin.
Ai në një intervistë për Televizionin e Maqedonisë theksoi se këtë vit rroga mesatare u rrit për 5.7%, u hapën vende të reja pune dhe u bënë reformat e duhura në sistemin e financave publike.
Krahas realizimit të dobët të investimeve kapitale gjatë vitit, ministri Tevdovski thotë se tremujori i fundit i këtij viti jep shpresë se 2019-a do të jetë vit i investimeve kapitale.
“Për herë të parë pas shumë viteve kemi rritje të sektorit privat, i cili e lëviz ekonominë. Nga ana tjetër, në kuartalin e fundit erdhi edhe tek zgjidhja e problemeve, të atyre problemeve të mëdha që ishin te investimet kapitale që financohen nga buxheti. Ajo na jep të drejtën të presim që përskaj lëvizjes së sektorin privat, në vitin 2019, së bashku me zbatimin e investimeve kapitale nga shteti, të mundemi të presim realizim të plotë të projeksionit të rritjes ekonomike”,- tha ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Tevdoski thekson se Ministria e Financave ka pasur sukses të stabilizojë borxhin publik dhe këtë do ta vazhdojë ta bëjë edhe në 2019-n.
“Nëse në fund të vitit 2016 borxhi publik ishte 48.6 nga PBV, tani është ulur në 48.2% dhe ajo është shumë ndryshe nga rritja e vazhdueshme që kishte borxhi”,- u shpreh ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Sa i përket hyrjes në fuqi të tatimit progresiv, ministri Tevdovski thotë se për këtë nuk ka nevojë për shqetësim, pasi tatimi progresiv në Maqedoni nuk parashikon norma të larta, siç janë në Evropë apo ShBA.
“Pjesa më e madhe e popullatës do të vazhdojë të paguajë tatim vetëm 10%, madje lehtësimi tatimor do t’u mundësojë të paguajnë tatime më të ulëta, për shkak se është rritur lirimi nga 7500 në 8000 denarë. Pra, thjesht nuk ka ngarkesë për të punësuarit të cilët punojnë në kompani, por ngarkesë tatimore ka vetëm te një përqindje e njerëzve të cilët kanë të hyra më të mëdha”,- theksoi ministri i financave, Dragan Tevdovski.
Tevdoski pret që viti 2019 të jetë vit i rritjes më të fuqishme ekonomike dhe rritjes së rrogave. (Ersan Pajaziti, TVM2)
