Maqedoni
AKE: Ulet numri i ankesave, vetëm 800 në 2018-n
02.01.2019 17:05
Vitin që lamë pas, rreth 800 qytetarë janë ankuar në Agjencinë e komunikimeve elektronike për cilësinë e shërbimeve që marrin.....

Lartësia e llogarive kryeson listën e ankesave, e ndjekur nga ankesat për shërbimet e vonshme dhe jocilësore për roaming. Nga Agjencia për Komunikime Elektronike theksojnë gjithsesi se numri i ankesave shënon ulje. 4 vite më parë, AKE ka pranuar 2 mijë ankesa.
“Rreth 30% e paraqitjeve kanë të bëjnë me konsultime për mënyrën e ankesave për disa shërbime të cilat nuk i plotësojnë kushtet nga ana e operatorëve. Po ashtu 30% të paraqitjeve janë për llogaritë dhe 1/3 e ankesave janë për cilësinë e shërbimeve”,- u shpreh drejtori i AKE-së, Sasho Dimitrijoski.
Qytetarët thonë se kanë kujdes se cilat shërbime i aktivizojnë dhe sa harxhojnë për telefon celular.
“Mendoj se llogaria është reale, sepse ende nuk e kam vërtetuar të kundërtën”,- theksoi një qytetar.
“Lajmërohen në telefon për llogari të vonuar edhe pse llogaria është paguar dhe menjëherë e lëshojnë celularin”,- u shpreh një qytetar.
Nga AKE thonë se ende po punohet për operatorin e të tretë të telefonisë celulare dhe përafrimin e Maqedonisë me çmimet për roamnig drejt shteteve evropiane.
“Në kuadër të agjendës digjitale për vendet e Ballkanit Perëndimor u kyç edhe kjo nismë dhe u insistua që vendet e Ballkanit perëndimor të lidhin kontrata përmes të cilave do të ulen çmimet e shërbimeve roaming. Ne insistojmë që kjo të realizohet sa më shpejt dhe kjo të jetë në nivelin që e posedon Europa për momentin e ajo është “Roaming si në shtëpi””,- tha drejtori i AKE-së, Sasho Dimitrijoski.
Agjencia për Komunikime Elektronike vazhdon të jetë në shërbim të ankesave të qytetarëve, në numrin 190, ku të gjithë shfrytëzuesit mund t’i paraqesin problemet eventuale në sferën e komunikimeve elektronike.
FLUTURA LATIFI
