Arratisja e ish kryeministrit, Joveski: Gruevski e kaloi kufirin ilegalisht

02.01.2019 17:26

Ish kryeministri Gruevski ka kaluar ilegalisht kufirin mes Maqedonisë dhe Shqipërisë....

Ish kryeministri Gruevski ka kaluar ilegalisht kufirin mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, transmeton “TVM2”.

Parahetimi ka konfirmuar se Gruevski nuk e ka kaluar kufirin zyrtarisht, pasi në asnjë nga vendkalimet zyrtare me Shqipërinë, “Qafëthanë”, “Shën Naum”, “Stenje Xhepçisht” dhe Bllatë, nuk ka asnjë shënim zyrtar për këtë kalim. Këtë e konfirmon në intervistën për MIA-n edhe prokurori publik, Ljubomir Joveski.

“Janë kërkuar dëshmitë nga organet kompetente të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Malit të Zi. Janë siguruar dëshmitë nga kamerat e rrugëve, pikëpagesave, kalimeve kufitare, si dhe rreth shtëpisë së ish-kryeministrit. Janë dëgjuar dhe dëshmitarë, por që të mos dëmtojë procedurën parahetimore, detaje tjera nuk mund të zbuloj”,- thotë Jovevski.

Kalimi ilegal i kufirit nënkupton se nuk mund të ketë përgjegjësi për Policinë Kufitare në lidhje me arratisjen e tij. Gjithsesi, kjo mbetet të vërtetohet nga institucionet përkatëse.

“Prokuroria nuk vërteton nëse ka pasur lëshime të disa institucioneve, por vetëm nëse ka ose jo veprime juridiko-penale nga disa persona për mundësinë e ikjes. Institucionet përkatëse, në suaza të organizimit të tyre të brendshëm, duhet të vërtetojnë se çfarë përgjegjësie ka pasur në veprimin e tyre”,- thotë Joveski.

Por, askush nuk di të thotë saktë se si arriti ish kryeministri të kalojë në Shqipëri, prej ku edhe zyrtarisht ka gjurmë të kalimeve të tij të mëtejshme nëpër vendet fqinje drejt Hungarisë, kufij këto të cilat i ka kaluar vetëm me letërnjoftim, i ndihmuar edhe nga mjeti i udhëtimit me targa diplomatike, i cili nuk ka shkaktuar asnjë dyshim tek kufitarët në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi.

Se si ka kaluar pa pasaportë kufirin e jashtëm të BE-së në Hungari, kjo është një pyetje të cilës mund t’i japin përgjigje vetëm autoritetet hungareze që në mënyrë eksprese aprovuan kërkesën e Gruevskit për amnisti.

Arratisja e Gruevskit erdhi pas vendimit për paraqitje në Burgun e Shuto Orizares, ku ish kryeministri duhej të vuante dënimin me burg prej dy vjetësh në rastin “Tank” të PSP-së për blerjen e mercedezit me vlerë prej  600.000 eurove. (Farije Dauti Bakiu, TVM2)