6 raste të reja me fruth, kopshtet nuk do pranojnë fëmijë të pavaksinuar

02.01.2019 17:38

Ministria e Shëndetësisë vazhdon gjendjen e epidemisë së fruthit....

Ministria e Shëndetësisë vazhdon gjendjen e epidemisë së  fruthit, tani në të gjithë territorin e Qytetit të Shkupit, për shkak të 12 rasteve të reja të zbuluara, njofton “TVM2”.

Nesër kopshtet në Shkup nuk do të pranojnë asnjë fëmijë të pavaksinuar. Ministri, Venko Filipçe, njoftoi se gjashtë nga rastet e reja janë konfirmuar tashmë, ndërsa për gjashtë të tjerat nesër pritet rezultati i analizave.

Tetë nga të infektuarit janë hospitalizuar në Klinikën Infektive me komplikime dhe bronkopneumoni. Dy janë në gjendje më të rëndë klinike. Mes të sëmurëve ka një fëmijë 8 muajsh dhe fëmijë të moshës 3 vjeç e gjysmë dhe 4 vjeç dhe një të rritur në moshën 31 vjeçare.

“Është shpallur epidemia e fruthit në Shkup dhe jemi të detyruar që prej nesër të ndërmarrim masën e përkohshme: ndalesë për dërgimin e fëmijëve në çerdhe, të cilët nuk janë të vaksinuar me vaksinën MRP”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Autoritetet shëndetësore e kanë situatën nën kontroll dhe po inspektohen të gjitha pikat e vaksinimit. Por, edhe përkundër apeleve, numri i fëmijëve që po vaksinohen në këtë vaksinim të jashtëzakonshëm është shumë i vogël.

“Nga 15 mijë fëmijë të pavaksinuar nën moshën 14-vjeçare pas thirrjeve për vaksinim, janë vaksinuar vetëm 310, që është numër jashtëzakonisht i ulët”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Epidemi fruthi ka edhe në Serbi dhe Rumani. Deri tani në Rumani kanë vdekur 50 persona, ndërsa në Serbi 30. Epidemi fruthi në Maqedoni kishte edhe në vitin 1972, që rezultoi me mbi 1250 vdekje dhe 12 mijë të infektuar para se të fillonte aplikimi i vaksinimit të fëmijëve.

Fruthi është një sëmundje serioze dhe mund të shkaktojë inflamacion të rëndë të mushkërive dhe meningjitit. Por, për shkak të mosvaksinimit, gjatë gjithë 2018 në Europë numri  i të prekurve e kaloi gjysmë milionëshin. (Fitore Demolli, TVM2)