Maqedoni
Reformat në jurisprudencë, Xhelili: Të fillojnë me këshillin gjyqësor
02.01.2019 17:50
Reformat që duhet të përmbushen sipas Kapitullit 23 dhe Strategjia për reforma në sferën e jurisprudencës...

Reformat që duhet të përmbushen sipas Kapitullit 23 dhe Strategjia për reforma në sferën e jurisprudencës duhet të fillojnë me zgjedhjen e përbërjes së re të Këshillit Gjyqësor dhe atij të prokurorëve publikë. Kështu vlerëson ish gjykatësi, Fadil Xhelili, për TVM2, sipas të cilit vetëm në këtë mënyrë do të fillohet nga e para dhe do të zbatohen ndryshimet e reja ligjore.
“Një përbërje e re e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve do të fillonte të bëjë edhe filtrin dhe zbatimin e ligjeve të reja që do të sjellin. Në radhë të parë do të fillojë një lloj pastrimi të gjithë atyre gjykatësve të cilët nuk janë të denjë dhe nuk e kanë profesionalizimin, integritetin e tyre për të ushtruar funksionin e gjykatësve dhe prokurorëve. Kam shpresë se deri në shtator megjithatë do të duhet të fillohet edhe në praktikë implementimi i ligjeve në sistemin e drejtësisë, veçanërisht tempoja e tyre do të fillojë pas pranimit të Maqedonisë në NATO”,- theksoi ish gjykatësi, Fadil Xhelili.
Pas sjelljes së një sërë ligjeve në sferën e drejtësisë, sfidë e radhës do të jetë implementimi i tyre në praktikë. Ndikimet eventuale politike do të ngadalësojnë apo ndikojnë në reformat sa u përket procedurave gjyqësore.
“Proceset dhe vendimet politike gjithsesi ndikojnë edhe në dinamikën dhe zhvillimin e këtyre proceseve. Megjithatë unë jam i mendimit se këto procese do të zhvillohen deri në fund dhe pavarësisht ndikimit të politikës që në mënyrë indirekte reflektohet në zhvillimin e këtyre procedurave gjyqësore në fund do të ketë një epilog të drejtë juridik dhe të gjitha do të përfundojnë në procedurë të rregullt gjyqësore me vendime gjyqësore”,- tha ish gjykatësi, Fadil Xhelili.
Avancimi i sistemit gjyqësor dhe funksionimi i tij paraqet një parakusht kyç për zhvillimin e Maqedonisë, si një shtet demokratik juridik, për integrimin e saj euroatlantik dhe kjo është e shkruar edhe në strategjinë për reforma që duhet të përmbushet deri në vitin 2020.
FLORIJE BELULI KAMBERI
