Maqedoni

Marrëveshja e Prespës drejt fazës finale, Cipras dhe Zaev ritheksojnë dobitë e marrëveshjes

02.01.2019 18:04

Marrëveshja e Prespës, drejt fazës finale. Parlamenti ka caktuar seancën më 9 janar dhe do të duhet të zgjasë deri më 15 janar....

Kryeparlamentari Xhaferi është shprehur se seanca në mungesë të VMRO-DPMNE-së mund të përmbyllet më herët dhe pas publikimit të vendimit në Gazetën Zyrtare, t’i lihet radha Athinës që të ratifikojë të njëjtën. 
 
Zëdhënësi i Qeverisë greke ka deklaruar se është siguruar shumicë për ratifikimin e marrëveshjes dhe disa ditë pas votimit do të ratifikohet edhe protokolli për hyrje të Maqedonisë në NATO. Optimist është edhe kryeministri grek, Cipras, i cili në fjalimin e fundvitit nuk la pa përmendur dobitë e marrëveshjes.
 
“Marrëveshja e Prespës është hap i rëndësishëm që do të ratifikohet në Parlamentin grek, me ç’rast mbyllet zbrazëtira 30-vjeçare e ngecjes që i kushtoi shumë vendit tonë. Me ratifikimin e marrëveshjes mbrohet trashëgimia kulturore, por edhe prejardhja e Maqedonisë antike”,- u shpreh kryeministri i Greqisë, Aleksis Cipras.
 
Qëndrim të ngjashëm ndan edhe kryeministri Zaev, i cili në fjalimin e vitit të ri ka deklaruar se është përmbyllur kontesti 27-vjeçar, është zgjedhur ardhmëria në vend të izolimit.
 
“Edhe pse sfidat janë të mëdha, të zbukurohemi të gjithë me guxim, vendosshmëri dhe t’i bëjmë realitet dëshirat tona dhe qëllimet për një shtet të qetë dhe stabil me anëtarësim në NATO dhe BE”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Ndërkohë që NATO shton presionin mbi Shkupin dhe Athinën zyrtare që deri më 15 shkurt të përmbyllin të gjitha procedurat që kanë të bëjnë me ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës. Gazeta greke “Katimerini” shkruan se ekziston letër nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, drejtuar Shkupit dhe Athinës zyrtare, që procedurat të përmbyllen pikërisht në këtë datë. Profesori universitar, Hasan Jashari, thotë se ky afat kohor është real për përmbylljen e kontestit.
 
“Mendoj se koha është reale, Maqedonia do ta ratifikojë në parlament në gjysmën e parë të janarit, kurse Greqia gjithashtu sipas zëdhënësit Xanakopulos, Parlamenti grek ka shumicë parlamentare prej 150 votash, e cila do ta ratifikojë në parlament marrëveshjen dhe mendoj se kjo është një kërkesë reale dhe është një gjë e arritshme dhe jam i bindur se kjo do të bëhet”,- tha analisti, Hasan Jashari.
 
Megjithatë, në Maqedoni vazhdojnë përpjekjet kundër Marrëveshjes së Prespës. “Maqedonia bojkoton” do të protestojë nesër dhe më 9 janar kur kuvendi nis seancën për fazën e fundit të ndryshimeve kushtetuese.
 
MERAL ISMAILI