Maqedoni

Ish shefi i DZK-së mbetet në qeli, 30 ditë shtesë paraburgim për Atanasovskin

03.01.2019 11:57

Këshilli penal i Gjykatës Themelore Shkupi 1, caktoi 30 ditë shtesë paraburgim për ish drejtorin e Drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim, Vladimir Atanasovskin...

Ish drejtori i DZK-së dyshohet për veprën penale “shoqërim për shkak të veprimtarisë armiqësore”.
 
Prokuroria për ndjekje të kriminalitetit dhe krimit të organizuar ka nisur hetimet kundër Atanasovskit, prej kur në një nga gjykimet për 27 prillin i dyshuari Aleksandar Vasilevski - Ninxha deklaroi para gjykatës se ka qenë bashkëpunëtor i policisë sekrete dhe mbështetje për veprimtarinë e tij ka marrë pikërisht nga Atanasovski.
 
Këtë deklaratë Ninxha e ka dhënë në prokurori që në qershor 2017, por prokurorja, Vilma Ruskovska, në një deklaratë për mediat tha se ka pritur që deklaratën e njëjtë i dyshuari ta përsërisë edhe në gjykim, e ndërkohë ka mbledhur fakte kundër Atanasovskit.
 
Procedura hetimore u hap në momentin kur Ninxha e ripërsëriti pohimin e tij edhe në gjykatë dhe prokurorja Ristovska ngriti procedurën dhe propozoi paraburgimin e ish shefit të DZK-së.
 
Gjykata pranoi propozimin dhe Atanasovski gjendet në paraburgim në burgun e Shutkës, që nga dhjetori i 2018-s.
 
Me propozim të mbrojtjes ai ishte dëshmitar gjatë gjykimeve për 27 prillin, por në çdo pyetje përgjigjej duke u mbrojtur me Ligjin për fshehtësinë e të dhënave. 
 
SEDAT SELIMI