Epidemia e Fruthit në Shkup, kopshtet nuk i pranojnë fëmijët e pavaksinuar
Kopshtet e fëmijëve në Shkup nuk i kanë pranuar fëmijët e pavaksinuar pas shpalljes së epidemisë së Fruthit...

Kopshtet e fëmijëve në Shkup nuk i kanë pranuar fëmijët e pavaksinuar pas shpalljes së epidemisë së Fruthit në të gjithë territorin e kryeqendrës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Inspektorët e Inspektoratit shtetëror sanitar - shëndetësor dhe punonjësit e Qendrës së shëndetit publik kanë vizituar kopshtet e fëmijëve për të parë se sa fëmijë janë të pavaksinuar.
“Është formuar komisioni ku do të shohin se cili është numri i fëmijëve që nuk kanë marrë vaksinat e tilla. Kështu që i lusim prindërit të marrin masa por edhe në të ardhmen fëmijët që nuk i kanë marrë vaksinat nuk do ta vijojnë kopshtin, do të duhet të kenë vërtetimin e mjekut, kështu do të kemi një pasqyrë dhe fëmijët do t’i kyçim në kopsht. Për momentin nuk kemi fëmijë të pavaksinuar në kopsht. Me pasqyrat që i kemi të gjithë fëmijët janë të vaksinuar”,- tha drejtoresha e Kopshtit “Fidani”- çair, Rabie Loku.
Drejtuesit e kopshteve i kanë informuar prindërit e fëmijëve të pavaksinuar që nuk janë pranuar sot në kopsht, se duhet të mendojnë edhe një herë për të vaksinuar fëmijët e tyre në mënyrë që më lehtë ta kalojnë sëmundjen nëse infektohen.
KLINIKA PËR SËMUNDJET E FËMIJËVE: VAKSINAT JANË TË SIGURTA DHE CILËSORE
Klinika për sëmundje të fëmijëve në Shkup u apelon prindërve të vaksinojnë me urgjencë fëmijët e tyre kundër Fruthit. Vaksinat janë të sigurta dhe cilësore konfirmojnë nga kjo klinikë, duke përkujtuar se Fruthi mund të shkaktojë probleme serioze në shëndetin e personave të pavaksinuar. Vaksinat janë mënyra e vetme për të mbrojtur imunitetin kolektiv, apelojnë nga klinika.
VAZHDON VAKSINIMI I JASHTËZAKONSHËM, GJOBA PËR PRINDËRIT QË NUK VAKSINOJNË FËMIJËT
Prindërit e anketuar nga TVM2 thonë se vaksinat janë efikase për parandalimin e sëmundjes.
“Unë fëmijën tim rregullisht e vaksinoj, po ashtu edhe fëmijën e madh e kam vaksinuar rregullisht”,- u shpreh një prind.
Si masë për parandalimin e epidemisë është ndërmarrë aksioni për vaksinim të jashtëzakonshëm, por nga 15 mijë persona të pavaksinuar deri dje vaksinat i kishin marrë vetëm 310 persona, një numër ky jashtëzakonisht i ulët. Epidemia e Fruthit u shpall në Shkup për shkak të zbulimit edhe të 12 rasteve të reja, mes të cilëve ka një foshnjë 8 muajsh dhe një të rritur 31-vjeçar, të gjithë të pavaksinuar.
Autoritetet përkujtojnë se për prindërit që nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre ka gjoba që variojnë prej 350 deri në 650 euro. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
