DHP: Vazhdon afati i paraqitjeve elektronike

03.01.2019 15:16

Drejtoria e të Hyrave Publike ka vazhduar edhe për disa ditë afatin për regjistrimin e qytetarëve...

Drejtoria e të Hyrave Publike ka vazhduar edhe për disa ditë afatin për regjistrimin e qytetarëve të cilët nuk kanë arritur të regjistrohen për E-tatimin personal në afatin paraprak deri më 31 dhjetor.

Nga DHP thonë se qëllimi nuk është të dënohen qytetarët dhe nuk do të refuzohet  asnjë qytetar që dëshiron të regjistrohet por që nuk është paraqitur në kohë. Administratorët e DHP-së do të përpiqen të kontaktojnë edhe ata që nuk kanë treguar interes për paraqitje, por paraqitja gjithsesi që është obligim personal i çdo qytetari.

Deri në mëngjesin e 31 dhjetorit, në sistemin e E-tatimit janë regjistruar mbi 650.000 qytetarë nga 920.000 sa duhet të regjistroheshin sipas të dhënave paraprake. Ata që nuk do të paraqiten edhe në këtë afat të shtuar, do të llogariten si persona që duan të fshehin të ardhurat për t’i shpëtuar tatimit, e në këtë rast gjobat variojnë nga 100 deri në 200 euro.

Nga ky obligim janë të liruar pensionistët që marrin vetëm pension shtetëror. Pensionistët e tjerë që kanë të hyra shtesë apo pensione nga jashtë,  duhet patjetër të regjistrohen në sistemin elektronik të tatimit. Ky është viti i parë ku qytetarët nuk do të shkojnë në sportelet e DHP-së, por të dhënat për tatimin e paguar do t’i marrin në adresën elektronike në prill.

Nga 1 janari funksionon edhe mënyra e re për pagesën e tatimit personal të të ardhurave përmes llogarisë elektronike, përmes sistemit të tatim personal pdd.ujp.gov.mk.

Procedura për regjistrimin e tatimit personal është e lehtë dhe kusht i vetëm për regjistrim është që qytetarët të krijojnë një llogari me emër personal përdoruesi dhe fjalëkalim, i cili do shërbejë për komunikim me DHP-në. (Flutura Latifi, TVM2)