VMRO-DPMNE: Tender milionësh për bashkëshortin e Carovskës
VMRO-DPMNE akuzon ministren e punës dhe politikës sociale, Milla Carovskën....

VMRO-DPMNE akuzon ministren e punës dhe politikës sociale, Milla Carovskën, se nuk ka deklaruar të gjithë pasurinë e saj dhe se bashkëshorti i saj i pakurorëzuar ka fituar tenderë në vlerë të milionave nga institucionet qeveritare.
“Në listën e pronave të Carovskës është deklaruar pasuria e saj personale, pasuria e prindërve të saj dhe e vëllait të saj, por nuk është paraqitur prona e bashkëshortit të saj të pakurorëzuar. Sipas nenit 13 të Ligjit për Familjen, lidhja ose bashkëjetesa mes një gruaje dhe një burri e cila nuk është e bazuar në dispozitat e Ligjit për Familje por që ka zgjatur më së paku një vit, është e barabartë me bashkësinë martesore në aspektin e mbështetjes së ndërsjellë dhe pasurisë së fituar gjatë kohëzgjatjes së asaj bashkësie”,- thuhet nga VMRO-DPMNE.
MPPS: VMRO-DPMNE PO E MANIPULON OPINIONIN
Por, nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale i hedhin poshtë akuzat e opozitës, duke përkujtuar se ligji nuk i obligon funksionarët të dorëzojnë raport për gjendjen pronësore të partnerëve joformal të tyre, ashtu siç VMRO-DPMNE përpiqet ta gënjejë opinionin dhe nuk ekziston hapësirë për interpretim tjetër të dispozitave të këtij ligji.
“Ministrja Carovska në mënyrë të rregullt e ka plotësuar listën pronësore dhe e ka paraqitur pronën e saj dhe të familjes. Edhe pse në mënyrë ligjore nuk është e obliguar, megjithatë, ministrja Carovska, për shkak transparencës ndaj opinionit, do ta paraqesë pronën e bashkëshortit joformal në afat sa më të shkurtër kohor në Komisionin për Parandalimin e Korrupsionit”,- thuhet në reagimin e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale.
Edhe Kompania “Flaj Kem”, e apostrofuar nga opozita, i hedh poshtë akuzat duke thënë se kanë punuar sipas të gjitha dispozitave ligjore. Nga kjo kompani paralajmërojnë VMRO-DPMNE-në që nëse nuk kërkon falje publike në afat prej 48 orëve, do të ngrenë padi për shpifje. (Besim Abdullai, TVM2)
