Ndryshimet kushtetuese, Zaev: Ende nuk janë siguruar 80 vota “po”
Amendamentet kushtetuese do të vihen në seancë plenare para deputetëve më 9 janar....

Amendamentet kushtetuese do të vihen në seancë plenare para deputetëve më 9 janar, por shumica e domosdoshme prej 80 deputetëve ende nuk është e sigurt. Kryeministri, Zoran Zaev, thotë se po angazhohet për të siguruar shumicë të cilësuar dhe se kur të arrihet ky numër do të njoftojë opinion. Paralajmëroi bisedime me Aleancën për Shqiptarët dhe Besën e Kasamit.
“Numrin përfundimtar do ta dimë gjatë aktit të votimit. Seanca është caktuar për më datën 9. E di që debati zgjat jo më gjatë se 10 ditë. Siç është paralajmëruar mospjesëmarrja e opozitës së kryesuar nga VMRO-DPMNE, sigurisht do të zgjasë 2-3 ditë, aq sa do të vlerësojnë deputetët, ne do të jemi atje, por akti i votimit do të jetë si rezultat i debatit, amendamenteve dhe si rezultat i kënaqësisë së deputetëve që dorëzuam amendamente dhe besimit të përgjithshëm se këtë proces duhet ta sigurojmë”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
RATIFIKIMI NË GREQI, ZAEV: I BESOJ KRYEMINISTRIT CIPRAS
Optimist edhe për vazhdimin e procesit te pala greke. Deklaratat e opozitës kundër Marrëveshjes së Prespës janë për politikë ditore, thotë Zaevi, ai i beson homologut të tij grek, Aleksis Cipras.
“Gjithashtu i besoj fjalës së kryeministrit grek, Aleksis Cipras, se do të sigurojë shumicë parlamentare, sa është e nevojshme sipas kushtetutës dhe ligjit të tyre, për të ratifikuar Marrëveshjen e Prespës, por njëkohësisht besoj pasi kam argumente dhe arsye, sepse për ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO duhet të votojnë 300 deputetë në Parlamentin grek, që d.m.th. të gjithë”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
ARRATISJA E GRUEVSKIT, ZAEV: S’KA GISHT POLITIKA
Sipas Zaevit, edhe pajtimi në formë Ligji për amnisti është në favor të interesave strategjike, anëtarësimit në NATO dhe BE. Prandaj miratimi i tij u përshëndet nga Brukseli. Por, Zaevi mohon të ketë pasur marrëveshje politike për arratisjen e ish kryeministrit Gruevski.
“Besoj se është çështje ditësh dhe duhet të përfundojë hetimi i Prokurorisë Publike. Unë edhe një herë konfirmoj se politika nuk ka gisht, as ka dashur dhe as ka mundur që të ndihmojë, t’ia mundësojë ikjen ose diçka ngjashëm”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev përjashtoi mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato presidenciale. Sipas tij, me rëndësi është zbatimi i Marrëveshjes së Prespës dhe reformat për të hapëruar drejt NATO-s dhe BE-së. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
