Maqedoni

Rasti i Almir Aliut, Alispahiq: Rasti kthehet në rigjykim

04.01.2019 15:14

Gjykata e Apelit ka shfuqizuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Kumanovës....

Gjykata e Apelit ka shfuqizuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të Kumanovës dhe rastin e Almir Aliut e kthen në rigjykim.

Këtë për TVM2 e konfirmoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq, sipas të cilit, aktvendimin në formë të shkruar dhe zyrtare akoma nuk e ka pranuar dhe nuk mund të flasë më tepër për shkaqet dhe rrethanat mbi të cilat Gjykata e Apelit mori një vendim të tillë.

Alispahiq njëherit informoi se një vendim i tillë nënkupton se i akuzuari për vdekjen e Almir Aliut, Boban Iliq, do të mbrohet në liri, ndërsa të njëjtit do t’i shqiptohen masa të tjera të kujdesit. Ndonëse gjatë procedurës gjyqësore ishin bërë lëshime të mëdha ligjore, Gjykata Themelore e Kumanovës nuk i kishte marrë parasysh.

Akuza në fillim ishte kualifikuar si vrasje me paramendim, ndërsa pas referimit të lëndës në Prokurorinë Republikane, akuza u rikualifikua në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”.

“Nuk e kemi marrë vendimin e shkallës së dytë nga Gjykata e Lartë, por për informim të saktë dhe të plotë të publikut mund të informoj se vendimi i Gjykatës së Apelit është që lënda të kthehet në  rigjykim para Gjykatës Themelore në Kumanovë.  Vendimi ende është duke u përpunuar dhe prandaj ende nuk është dorëzuar.  Unë mundem vetëm ta mirëpres vendimin e Gjykatës së Apelit, sepse ne gjatë tërë kohës sugjerojmë që Prokuroria Publike në këtë lëndë sipas mbrojtjes nuk duhej ta bënte atë rikualifikim”,- tha avokati, Asmir Alispahiq.

Për rastin e Almir Aliut dhe rikualifikimin e veprës disa herë u mbajtën protesta në Kumanovë dhe Shkup, ndërsa reaguan edhe prokurorët republikanë shqiptarë, Ferat Elezi, Bashkim Besimi, Xhelal Bajrami dhe Ismail Dardhishta, duke e cilësuar të njëjtin si skandaloz. Për rastin e Almirit, i akuzuari Boban Iliq, pas rikualifikimit të veprës, u dënua me 6 vite e gjysmë burg, ndërsa prindi i Almirit dhe dy të afërmit e tij me 9 dhe 6 muaj burg efektiv.

Më 1 tetor të vitit 2018 u mbajt seancë publike në Gjykatën e Apelit në lidhje me ankesat e palëve për vendimin e shkallës së parë të Gjykatës së Kumanovës. Me këtë rast, Prokuroria e lartë kërkoi rritje të dënimit për të akuzuarit. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)