Shoqata e Pediatërve: Të gjithë fëmijët duhet të vaksinohen sa më parë

04.01.2019 16:08

Të gjithë fëmijët duhet të vaksinohen sa më parë, që të pengohet rreziku i përhapjes së fruthit....

Të gjithë fëmijët duhet të vaksinohen sa më parë, që të pengohet rreziku i  përhapjes së fruthit, thonë nga Shoqata e Pediatërve, njofton “TVM2”.

Ata njëherit vlerësojnë se prindërit nuk duhet të vihen në rolin e mjekut për imunitetin dhe shëndetin e fëmijëve, por të kërkojnë ndihmë nga mjeku amë për vaksinimin e fëmijëve të tyre e jo të bazohen në informacionet që mund t’i gjejnë në internet.

“Ne që punojmë në klinikë dhe që kujdesemi për shëndetin e fëmijëve jemi më kompetentë, prandaj do të thosha se që nga lindja e hershme e deri në muajin e  13 merren praktikisht të gjitha vaksinat, sepse pikërisht në këtë kohë sistemi imunitar është i gatshëm ta pranojë imunitetin që në të ardhmen të mos keni frikë se fëmija mund të sëmuret”,- u shpreh kryetarja e Shoqatës së Pediatërve, Aspasija Sofianova.                                                                                                           

Ajo njëherit sqaron se duhet të vaksinohen vetëm fëmijët që janë të shëndoshë, në të kundërtën mund të shkaktohen komplikime. Prindërit e anketuar thonë se në kohë i kanë vaksinuar fëmijët e  tyre.                                                                                 

“Fëmijët e mi i kam vaksinuar”,- tha një prind.

“Gjithmonë kur i ka ardhur koha t’i marrin vaksinat, i kam çuar rregullisht”,- u theksoi një prind. 

“Normalisht, pasi që është e rekomanduar nga mjekët”,- deklaroi një prind.

Institucionet shëndetësore bëjnë të ditur se ditëve të fundit është rritur numri i fëmijëve që kanë marrë vaksinën MRP. Për momentin nuk ka raste të reja të konfirmuara nga fruthi. Ministria e Shëndetësisë apelon qytetarët që dyshojnë se fëmijët e tyre kanë simptoma të fruthit, t’i kontrollojnë fëmijët në Spitalin “8 shtatori”, apo në Klinikën për Sëmundje  Infektive.

Pikat e vaksinimit në Poliklinikën “Bukuresht”, “Bit Pazar” dhe “Jane Sandanski” vaksinuan edhe këtë të premte deri në orën 19:00. 488 fëmijë janë vaksinuar deri tani.

“Ende është në fuqi urdhri se fëmijët të cilët nuk janë të vaksinuar nuk do të pranohen në çerdhe, me qëllim që të parandalohet shpërndarja e epidemisë së fruthit që është shpërndarë në Shkup”,- thonë nga Ministria e Arsimit.

Mjekët vazhdojnë apelet për vaksinim dhe përkujtojnë se vaksinat që jepen aktualisht janë të siguruara nga Belgjika dhe janë të prodhimit mjaft cilësor.

Deri tani 15 mijë prindër nuk i kanë vaksinuar fëmijët e tyre duke u bazuar në lajmet e përhapura se vaksinat shkaktojnë autizëm. Por, ndalesa për pranimin në kopshte të fëmijëve të pavaksinuar, u bë për të parandaluar infektimin eventual të tyre, pasi fëmijët e pavaksinuar e kalojnë më rëndë sëmundjen.

Kopshtet e fëmijëve janë të obliguara dhe duhet t’i zbatojnë të gjitha masat higjieno-sanitare për të mbrojtur kështu shëndetin e të gjithë fëmijëve që i frekuentojnë këto kopshte.

Nëse prindërit nuk i vaksinojnë fëmijët do të dënohen me gjoba prej 350 deri në 650 euro. Megjithatë, me moton “stop për vaksinimin” një grup qytetarësh të organizuar në rrjetet sociale protestojnë kundër vaksinimit të detyruar. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)