Zgjedhjet presidenciale, Zaev: Kandidat konsensual që e duan qytetarët

04.01.2019 17:03

Ideja për kandidat konsensual për president republike është e pranueshme edhe për kryeministrin, Zoran Zaev....

Ideja për kandidat konsensual për president republike është e pranueshme edhe për kryeministrin, Zoran Zaev, por para se t’u pëlqejë partive politike, kandidati duhet të jetë figurë që gëzon autoritet dhe e që e duan qytetarët, njofton “TVM2”.

Gjithsesi, bisedimet për një gjë të tillë nuk kanë filluar ende. Prioritet mbeten ndryshimet kushtetuese dhe zbatimi i Marrëveshjes së Prespës. Bisedimet për presidencialet do të hapen pas shpalljes së zgjedhjeve. 

“Do të kisha dashur që të kemi kandidat konsensual, të gjithë. Në atë rast do të thotë se kemi kandidat të tillë i cili do të jetë “baba i kombit” dhe kryetar i shtetit pas të cilit do të qëndrojmë të gjithë. BDI është një partner koalicioni, ne kemi më shumë partner koalicioni por për ne më me rëndësi janë qytetarët. Besoj se pas gjithë bisedimeve do të gjejmë forcën për të gjetur kandidat për president të republikës, promovimi i të cilit do të na paraqesë nder”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.

Koalicioni qeverisës kërkon figurën që do të ishte i pranueshëm për të gjithë dhe që do të siguronte fitoren e këtij koalicioni edhe në presidenciale.

VMRO SHPALL THIRRJE PUBLIKE PËR KANDIDATURA

Në ndërkohë, VMRO DPMNE ka shpallë thirrje publike për paraqitjen e kandidaturave për president të Maqedonisë në Konventën e VMRO DPMNE-së.    

“Të gjithë kandidatët, që plotësojnë detyrimet dhe kushtet e parapara me ligj për t’u kandiduar si kandidat për president të RM-së dhe të cilët mbështesin politikat e VMRO DPMNE-së dhe konsiderojnë se janë kandidatë potencialë, duhet personalisht të dorëzojnë letër interesi për kandidim në Konventën e VMRO DPMNE-së për zgjedhje të kandidatit për kryetar të RM-së, më së voni deri më 31 janar 2019”,- theksoi zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Për kandidatin e VMRO DPMNE-së do të vendosin 550 delegatë në konventën e partisë. VMRO konsideron se qytetarët janë lodhur nga kjo qeverisje dhe se kjo parti do të fitojë zgjedhjet dhe do të vazhdojë pushtetin presidencial. (Shpëtim Nuredini, TVM2)