Zaevi takoi Kasamin, bëhen konsultimet e fundit për ndryshimet kushtetuese
Në kuadër të përpjekjeve për të siguruar dy të tretat e votave të deputetëve, kryeministri, Zoran Zaev...

Në kuadër të përpjekjeve për të siguruar dy të tretat e votave të deputetëve, kryeministri, Zoran Zaev, ka takuar kreun e Lëvizjes Besa në opozitë, Bilall Kasamin, e cila ka dy deputetë. Zaev ka deklaruar se është i gatshëm të dëgjojë kërkesat e opozitës shqiptare, duke paralajmëruar edhe takim me kreun e ASh-së, Zijadin Selën.
“Dy partitë opozitare nga blloku shqiptar deri tani kanë qenë konstruktivë në procesin e ndryshimeve kushtetuese. Një pjesë e sugjerimeve të tyre janë inkorporuar. Pres nga Kasami të dëgjojë çfarë e shqetëson Besën, votuesit dhe mbështetësit e saj”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Vendimi për ndryshimet kushtetuese do të ketë ndikim edhe në ekonominë e vendit, vlerëson kryeministri, Zoran Zaev. Sipas tij, ky proces politik ka rëndësi të jashtëzakonshme për ardhmërinë e Maqedonisë, që lidhet me integrimet në BE dhe NATO.
“Fillimisht, ka pasur ndikim gjithkund, në të gjitha vendet që janë bërë anëtare të NATO-s dhe BE-së, do të ketë ndikim edhe ndaj nesh. Nëse Parlamenti i Maqedonisë sjell vendim pozitiv, duhet të jemi të mençur dhe t’i mbledhim frytet ekonomike nga vendimet e tilla. Nëse Parlamenti i Maqedonisë nuk sjell vendim, atëherë me siguri do të ketë ndikim ndaj jetës në Maqedoni. Nëse nuk ka vendim, përgjegjësinë duhet ta mbajë shteti, nëse ka vendim edhe për atë duhet të mbahet përgjegjësi për sukseset ekonomike të cilat duhet të arrihen. Mbetem optimist se Parlamenti i Maqedonisë do të gjejë fuqi”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Kërkesat e Lëvizjes Besa janë: që gjuha shqipe të jetë zyrtare në tërë vendin, shteti të kujdeset në mënyrë të barabartë për qytetarët e të gjitha bashkësive etnike që jetojnë në diasporë, presidenti i shtetit të mos mund të bllokojë miratimin e ligjeve duke mos i nënshkruar ato dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit të jetë pjesë e preambulës së Kushtetutës.
Faza e fundit e zbatimit të Marrëveshjes së Prespës fillon me seancën parlamentare më 9 janar. (Meral Ismaili, TVM2)
