Maqedoni
Apel për ndihmë për familjen Guci, kryefamiljari i paralizuar, fëmijët pa bukë e veshje
05.01.2019 14:20
Për të ndihmuar familjen Guci mund të lajmroheni në +38971262521

12 anëtarët e familjes Guci nga fshati Ognjancë, jetojnë të ngujuar në një dhomë të vetme. Ata flejnë në dysheme. Fëmijët e kësaj familje vuajnë për bukë dhe veshëmbathje. Në këtë të ftohtë dimri ato ishin të veshur me fanella krahë shkurt sepse nuk kishin mjaftueshëm tesha për të ngrohur trupin. Kryefamiljari Bashkimi, është i paralizuar dhe as nuk mund të flasi, ai nuk është i aftë të kujdeset për veten, aq më pak për familjen.
Që sa kohë është paralizuar bashkëshorti juaj?
"I ka dy ose tre vite, nuk e mbaj mend sakt. As nuk flet, për krahu e nxjerrim jashte. Unë jam në zor edhe për një banjo. Famelimnderit katundit më kanë ndihmu, pak ma kanë rregulluar dhomën, se s’kam nga t’ja mbaj. S’kemi as të ardhura, bashkëshorti I paralizuar. Krejt këtu flejmë në një dhomë, s’kemi ka ja mbajmë", tha Hanife Guci, kryefamiljare.
Fëmijët, për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike nuk kanë shkuar asnjë ditë të vetme në shkollë. Në këto ditë të ftohta dimri, ata duhet të dalin jashtë të mbushin ujë te ceshma e fshatit, ujë që bëhet akull kur temperaturat bien nën 0. Duart e tyre ngrijnë nga të ftohtit kur duhet të enët apo fytyrën. Edhe rrobat i ndajnë me njëri tjetrin, më të mëdhenjtë mendojnë fillimisht që fëmijët më të vegjël të jenë më ngrohtë. Për të gjithë nuk ka rroba.
Dauti, sa vjec je?
"12".
A shkon në shkollë?
"Jo".
Pse nuk shkon në shkollë?
"Po nuk kena kah me ja mbajt, nuk kemi as libra, as fletore. Asgjë nuk kemi".
Shkollën a e kani larg?
"Jo këtu e kemi ne fshat".
Para disa javësh, ata nuk kishin as rrymë, as dritare dhe dru për tu ngrohur, gjithcka që kishin ishte muri dhe kulmi i shtëpisë. Me ndihmën e bashkëfshatarëve, kjo shtëpi mori formë, por përsëri mungojnë gjerat elementare që duhet te ketë një shtëpi.
"Ne I kemi ndihmu me të holla me ushqim, shkurt krejt fshati jemi mledh dhe I kemi ndihmu. Ja kemi ndërru dyert dhe dritaret. Shtëpia nuk ka as banjo, ne me kushtet dhe mundësit tona ja kemi bo një banjo, por ka akoma punë. Për me ngren edhe me pi bëhëmi prap bashkë ne fshatarët, me aq sa kemi mundësi. Këtë pjesën jasht e kemi përfunduar sot, pra sot në realitet është përfundu krejt sot. Pardje e kemi rregullu dhomën, deri pardje kanë flejt nëpër familje sepse nuk kanë pas ku me nejt. Nuk kan pas as rryme dhe nuk kanë ujë", tha Fetah Osmani, bashkëfshatar.
Djali më i madh është i martuar dhe në mungesë të kushteve ekonomike për jetesë është detyruar të shkojë te familja e bashkëshortes . Ata kanë nevojë për ushqim, veshëmbathje dhe ndihmë për të ndërtuar së paku edhe dy dhoma që të mund të jetojë si të gjithë të tjerët.
FARIJE DAUTI BAKIU
