Maqedoni
Pasaportat blanko, VMRO kërkon sqarim për këtë furnizim të MPB-së
05.01.2019 17:44
VMRO-DPMNE fajësuan kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin e punëve të brendshme Oliver Spasovski.....

VMRO-DPMNE fajësuan kryeministrin Zoran Zaev dhe ministrin e punëve të brendshme Oliver Spasovski se shkelin kushtetutën ose bëjnë ndonjë pazar kriminel me furnizimin e 240 mijë pasaportave blanko që po mbahen në doganë. Anëtari I komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së Orce Gjorgjievski kërkoi që të qartësohet situata se pasaportat blanko janë me emrin e ri apo të vjetrin në prag të ndryshimit të emrit kushtetues.
“Nëse 240 mijë pasaportat blanko janë me emrin Republika e Maqedonisë, ndërkaq pushteti ndryshon emrin në kuvend, atëherë ato kushtojnë miliona euro s’do shfrytëzohen dhe do të duhet të shkatërohen, ndërkaq paratë e dhëna për furnizimin e tyre do të dëmtojnë drejtëpërdrejtë shtetin. Rasti i dytë, nëse fletëparaqitjet janë me emrin Maqedonia e Veriut, atëherë çfarë do të ndodh nëse emri nuk kalon në kuvend, a janë të njëjtat të pashfrytëzueshme dhe a do të duhet të shkatërohen?”, tha Orce Gjorgjievski, nga VMRO-DPMNE.
Reaguan nga Ministria e Brendshme, të cilët përgënjeshtrojnë pretendimet për paregullsi gjatë furnizimit duke akuzuar VMRO-në se po gënjen opinion për pikë politike.
“Furnizimi me pasaporta blanko është në përputhje me marrëveshjen e 2017-ës. Bëhet fjalë për furnizim të rregullt. MPB ka për obligim që të furnizojë qytetarët me dokumente udhëtimi dhe vepron pikërisht në bazë të kompetencave. Nëse votohen ndryshimet kushtetuese, do të nevojitet kohë derisa ato të hyjnë në fuqi. Ndërkohë që dokumente udhëtimi do të duhet t’u jepen qytetarëve”, thonë nga MPB.
Ditë më parë mediat publikuan lajmin se MPB në prag të votimit të ndryshimeve kushtetuese ka blerë 240 mijë fletëparaqitje për pasaporta me emrin aktual të shtetit.
MERAL ISMAILI
