Maqedoni
Bora kaploi mbarë vendin dhe Shkupin, bllokohen fshatrat e malësis së Shkupit e Likovës
06.01.2019 17:57
Reshjet e borës kapluan mbarë vendin. Në Shkup, pati reshje të borës që zgjatën shkurt në rrugët dhe bulevardet kryesore...

Ekipet e shërbimit dimëror punuan intensivisht në pastrimin e rrugëve, trotuareve dhe bulevardeve. Në dispozicion në depot e qytetit kanë qenë 4,500 ton kripë. Autoritetet e qytetit po ballafaqohen me borën që në mëngjes, tha kryetari i qytetit të Shkupit Petre Shilegov.
“Rrugët kryesore për mirëmbajtjen e të cilave është përgjegjëse qyteti në tërësi janë të kalueshme dhe arritëm në nivel të mos ketë borë nëpër rrugë. Presim pasdite dhe të mërkurën të ketë reshje më intensive të borës, megjithatë si edhe vitin e kaluar edhe këtë vit shërbimet e qytetit janë të gatshme të ballafaqohen me problemet”, tha Shilegov.
Gjithashtu borë kishte edhe nëpër rrugët që duhet t’i pastrojnë komunat. Bora ka bllokuar edhe fshatrat e malësisë së Shkupit dhe fshatrat malore të Komunës së Likovës. Ata ftojnë autoritetet komunale dhe qendrore, që të marrin masa urgjente për zhbllokimin e tyre pasi nuk kanë ushqim të mjaftueshëm dhe se kanë njerëz të sëmurë që u nevojitet shërbim mjeksorë.
Dhe përderisa autoritetet e qytetit dhe komunave sigurojnë se situata me borën është nën kontroll, sinoptikët paralajmërojnë reshje të reja të dëborës këto ditë, por edhe temperatura shumë të ulëta nëpër mbarë vendin deri në – 20 gradë. Ndryshe, edhe pse në Shkup kishte reshje të dëborës, ajri edhe më tej mbetet i ndotur. Stacionet matëse sot kanë treguar ndotje shumë të ulët të grimcave kancerogjene PM10 në lagjen Karposh ndërsa ndotje të lartë ka edhe në Butel, Qendër dhe në Rektorat.
BESIM ABDULLAI
