Personat me aftësi të kufizuara, MPPS: Qendra ditore dhe ndihmë financiare e personale
Avancimi i të drejtave dhe sigurimi i kushteve më të mira për personat me aftësi të kufizuara....

Avancimi i të drejtave dhe sigurimi i kushteve më të mira për personat me aftësi të kufizuara, mbetet prioritet i Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe për 2019, transmeton “TVM2”.
Ligji i ri për Mbrojtjen Sociale siguron dy shërbime krejtësisht të reja për personat me aftësi të kufizuara - asistencë personale dhe shërbim në shtëpi, - thonë nga kjo ministri.
E drejta për aftësi të kufizuar zgjerohet edhe për personat me pengesa intelektuale, ndërsa shtesa për kompensim të rrogës për orarin e shkurtuar për prindërit që kujdesen për fëmijë me nevoja të veçanta do të rritet në 50% të rrogës mesatare, njofton MPPS.
Do të rritet për 15% edhe ndihma për familjet që kujdesen për persona me nevoja të veçanta. Pjesë e Ligjit për mbrojtje sociale është gjithashtu edhe sigurimi i kujdesit afatshkurtër të personave me aftësi të kufizuara, kur anëtarët e familjes që kujdesen për të shkojnë për pushime, nuk janë të pranishëm për shkak të nevojave personale apo profesionale.
Në 2019, në ndihmë të kësaj kategorie qytetarësh do të përfshihen edhe asistentë arsimorë dhe personalë, që do të mbështesin fëmijët me aftësi të kufizuara në procesin arsimor. Përmes masave aktive të punësimit nga 1 tetori 2017, deri më 1 qershor 2018, në 18 komuna në vend janë punësuan 140 asistentë arsimorë.
Në vitin e ri shkollor 2018/2019 ky numër është rritur në 300 asistentë të mësimdhënies për 34 komuna.
Në vitin 2018 u bënë hapat e parë për krijimin e shërbimeve sociale të individualizuara në komunitet - një shërbim asistence personale, i financuar nga buxheti i MPPS-së.
“Në 2019 parashihet që 200 persona me aftësi të kufizuara nga i gjithë vendi ta shfrytëzojnë këtë shërbim, përfshirë personat me aftësi të kufizuara intelektuale. Gjatë vitit të kaluar janë hapur disa qendra të reja ditore. Në fazën përfundimtare është hapja e Qendrës për strehim dhe rehabilitim e fëmijëve me sindromën Doun në Shkup. Kjo do të rrisë ndjeshëm gamën e shërbimeve për personat me aftësi të kufizuara, do të rritet financimi i shërbimeve të veçanta, duke bërë të mundur jetën e pavarur të këtyre personave dhe përfshirjen e tyre më të madhe sociale”,- thonë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale. (Adnan Hajdari, TVM2)
