Maqedoni
Zgjedhjet presidenciale, Mickovski: Kandidat lojal, jokonsensual; Zaev: Të ndërtojmë shoqëri më të drejtë
07.01.2019 17:02
VMRO-DPMNE nuk konsideron se duhet bashkëpunuar me ndonjë parti shqiptare....

VMRO-DPMNE nuk konsideron se duhet bashkëpunuar me ndonjë parti shqiptare për të gjetur kandidat konsensual për president, edhe pse takimet dhe bashkëpunimi me to nuk mungojnë. Sipas kreut të kësaj partie, Hristian Mickovskit, qytetarët nuk duhet ndarë sipas përkatësisë etnike por sipas lojalitetit, prandaj VMRO-DPMNE ka shpallur thirrje publike për kandidat presidencial, i cili duhet të mbështesë politikat e kësaj partie. Për kandidatin e VMRO-DPMNE-së do të vendosin 550 delegatë në konventën e partisë.
“VMRO-DPMNE është e bindur dhe e sigurt në fitoren e zgjedhjeve të radhës presidenciale, kështu që, siç thashë, VMRO-DPMNE së bashku me qytetarët do të ofrojë program më të mirë dhe kandidat presidencial, kështu që do të fitojë në ato zgjedhje”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
Ndërkaq, kryeministri, Zoran Zaev, përkrah idenë për kandidat konsensual, por jo vetëm me partnerët shqiptarë të koalicionit. Në frymën e festës së Krishtlindjes, Zaev shprehu shpresën për të ardhme më të mirë për të gjithë shoqërinë.
“Ta ndërtojmë si shoqëri më humane, më të drejtë dhe me të ardhme më prosperuese për të gjithë”,- thotë Zaev në urimin e tij.
Edhe presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, shfrytëzoi festën për të përcjellë mesazh politik për pushtetin.
“Festa duhet të na rikujtojë se duhet ta duam atë që kemi dhe jo atë që nuk e kemi. Prandaj ta rruajmë, respektojmë dhe ta duam Republikën e Maqedonisë pasi atë kemi”,- theksoi presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov.
Zgjedhjet presidenciale pritet t’i shpallë kreu i Kuvendit, Talat Xheferi, më dy shkurt, përkatësisht 90 ditë para mbarimit të mandatit të presidentit aktual, Gjorge Ivanov, i cili është në krye të shtetit dy mandate si kandidat i VMRO-DPMNE-së.
SHPËTIM NUREDINI
