Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, vazhdojnë përpjekjet për të siguruar 80 vota

07.01.2019 18:22

Më 9 janar fillon faza përfundimtare për ndryshimet kushtetuese....

Më 9 janar fillon faza përfundimtare për ndryshimet kushtetuese që dalin si obligim nga Marrëveshjen e Prespës. Ndërkohë, kryeministri, Zoran Zaev, vazhdon përpjekjet për të siguruar votat e 80 deputetëve të nevojshme “për” miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
 
Dy partitë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, kanë kushtëzuar votën “për” me pranimin e disa kërkesave të tyre, për çka pritet që nesër të mbahet një takim mes grupit të punës mes qeverisë dhe partive opozitare shqiptare. Po ashtu rreth ndryshimeve kushtetuese dhe qëndrimit të ASh-së dhe Besës do të diskutohet edhe në takimet e ndara që krerët e këtyre dy partive, Sela dhe Kasami, do t’i kenë nesër me shefin e misionit të NATO-s dhe Zyrës për lidhje me Maqedoninë, ambasadorin, Zoran Jankoviq.
 
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, ka paralajmëruar se pret që debati për ndryshimet kushtetuese të përfundojë para 15 janarit. Dhe marrë parasysh se VMRO-DPMNE-ja opozitare ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancë, ndryshimet kushtetuese mund të ndodhin brenda javës që vjen, me të cilat parashihet që vendi të riemërtohet Republika Veriore e Maqedonisë.