2019-a - vit i eurointegrimeve, Osmani: Mobilizimi i gjithë aparatit shtetëror

08.01.2019 13:09

Aparati shtetëror dhe të gjithë administratorët këtë vit do të vendosen në shërbim të përmbushjes dhe implementimit....

Aparati shtetëror dhe të gjithë administratorët këtë vit do të vendosen në shërbim të përmbushjes dhe implementimit të reformave të nevojshme, që vendi të fitojë datën për fillimin e negociatave me BE-në.

Numri zëvendëskryeministri i eurointegrimeve, Bujar Osmani, nuk ka dyshime se viti 2019 do të jetë vit historik i sukseseve, andaj kërkon mobilizim dhe përkushtim nga të gjithë në administratë.

“Kemi vendosur që nga sot të shpallim do të thosha një situatë të jashtëzakonshme brenda administratës, brenda administratës publike dhe gjitha resurseve që i kemi në shoqëri, për të kapur një prej momenteve më të rëndësishme për të cilin presim tre dekade me radhë. Ai është vendimi përfundimtar i këshillit të BE-së që të fillojmë bisedimet këtë vit. Ajo që pritet nga ne është realizimi i reformave dhe implementimi i rekomandimeve të dala nga Këshilli i BE-së në qershor të vitit 2018, tani gjithçka varet nga ne”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani.

MARIÇIÇ: TË BINDIM BE-NË SE I MERITOJMË NEGOCIATAT

Autoritet nuk përjashtojnë mundësinë që raporti i BE-së për Maqedoninë të publikohet pas zgjedhjeve në Parlamentin Europian, kohë kjo e mjaftueshme që me vepra konkrete të binden 27 vendet anëtare se Maqedonia është e gatshme të fillojë negociatat.

“Në gjashtë muajt e ardhshëm duhet t’i kalojmë mbledhjet tekniko-përgatitore për 21 kapituj. Deri në fund të muajit qershor do të na prezantohet e drejta e detyrueshme e BE-së, të cilën do të duhet ne ta pranojmë, por gjithashtu do të na prezantohen edhe problemet dhe dilemat  që dalin në pranimin dhe implementimin e së drejtës së detyrueshme europiane. Ndërsa ne nga ana tjetër do të duhet të parashtrojmë pyetje se si do të jetë më mirë për të harmonizuar sistemin tonë me atë të BE-së”,- theksoi negociuesi teknik, Bojan Mariçiç.

Osmani njëkohësisht iu bëri thirrje partive politike që sa më parë t’i tejkalojnë dallimet që kanë në lidhje me propozim ligjin e ri për parandalimin e korrupsionit dhe përplasjes së interesave, me çka do të mund të përzgjidhen anëtarët e Komisionit për anti-korupsion para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale. (Rexhep Qamili, TVM2)