Maqedoni

Marrëveshja e Prespës, Bejli: Nuk ka alternativë tjetër, veç implementimit

08.01.2019 16:00

Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, e vlerëson Marrëveshjen e Prespës si ngjarjen më të rëndësishme e cila ka ndodhur vitin e kaluar në Maqedoni...

Kompromiset në Marrëveshjen e Prespës nuk janë të lehta, por kjo është një mundësi historike për një të ardhme të ndritur, ka vlerësuar ambasadori amerikan në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, sipas të cilit qeveritë e dy vendeve treguan guxim dhe vendosmëri për të zgjidhur kontestin shumëvjeçar, më pas edhe guxim në Parlament kur deputetët votuan për të filluar procesin e ndryshimit të kushtetutës, duke lënë mënjanë interesat partiake në emër të të ardhmes më të ndritur për Maqedoninë dhe qytetarët e saj.
 
I pyetur se a ka plan rezervë nëse votimi dështon, si në Maqedoni apo edhe në Greqi, ambasadori amerikan thotë se nuk sheh alternativë tjetër, ndërsa shprehet optimist se liderët e të dyja vendeve nuk do ta lëshojnë mundësinë për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar të emrit.
 
“Udhëheqësit në Greqi dhe Maqedoni kanë thënë se kjo marrëveshje është thellësisht në interesin e tyre kombëtar. Ajo do të çojë në siguri dhe begati për të dy vendet dhe për rajonin. Arritja e kësaj zgjidhjeje zgjati 25 vjet dhe unë nuk shoh ndonjë alternativë praktike në horizont. Kam besim se do të vazhdojmë të shohim udhëheqës të guximshëm që punojnë për të siguruar se Maqedonia dhe Greqia nuk do ta humbasin rastin që më në fund ta zgjidhin këtë çështje”- ka deklaruar Bejli.
 
Vendimin e Parlamentit për të miratuar Ligjin për amnistinë, Bejli e vlerëson si një vendim të rëndësishëm politik, vlera e të cilit do të vërtetohet nga ajo nëse ligji do të ndërtojë konsensusin kombëtar të nevojshëm për të realizuar aspiratën e shumicës së qytetarëve për t'u bashkuar me NATO-n dhe BE-në.
 
Ai më tej shtoi se ata që organizuan sulmet e 27 prillit duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, si dhe gjatë gjithë këtij procesi, gjyqësori duhet të mbetet i pavarur nga ndikimi politik dhe i lirë të vendosë për këto raste në bazë të fakteve dhe ligjit. 
 
GAZMEND KURTISHI