Maqedoni

“Makedonija lek” kërkon falje: Vaksinat të sigurta, ka pasur gabime teknike

08.01.2019 16:12

Pas shpalljes së shumë fotografive në rrjete sociale ku vërehen vaksina me afat të kaluar, Kompania “Makedonija Lek”....

Pas shpalljes së shumë fotografive në rrjete sociale ku vërehen vaksina me afat të kaluar, Kompania “Makedonija Lek”, që është importuese dhe distributore e vaksinave, i kërkon falje opinionit për lëshimet e bëra. Nga kjo kompani theksojnë se bëhet fjalë për gabim teknik, të cilin e kanë konstatuar pas kontrollit të brendshëm për mundësinë e pranisë së vaksinave me afat të skaduar.
 
“Te një numër i vogël i paketimeve janë vendosur deklaracionet e vjetra me datën e importit të mëhershëm, respektivisht tetorin e vitit 2018. Këto paketime janë tërhequr që të mos ketë paqartësi në opinion dhe ato do të zëvendësohen, ndërsa qytetarët mund të jenë të sigurtë se të gjitha vaksinat janë cilësore dhe kanë afat përdorimi. Kompania jonë kërkon falje për këto lëshime dhe pakënaqësitë që i shkaktoi në opinion. Në punktet e vaksinimit janë distribuuar vaksina të dy serive, njëra me afat deri në maj të vitit 2019, ndërsa seria tjetër ka afat deri në korrik të vitit 2019”,- sqarojnë nga “Makedonia lek”.
 
Ndërkohë, edhe më tej vazhdon vaksinimi i fëmijëve. Që nga shpallja e epidemisë deri më tani janë vaksinuar mbi 1100 fëmijë nga 15 mijë të pavaksinuar sa ka gjithsej. Mjekët apelojnë që të gjithë prindërit t’i vaksinojnë fëmijët e tyre. Sipas tyre, vaksinimi nuk ka reaksione anësore përveç mundësisë së ngritjes së temperaturës, që është reaksion i pritur.
 
“Sa i përket vaksinës MRP, nuk ka reaksione të padëshiruara, përveç rritje të vogël të temperaturës, e cila është reaksion i imunitetit. Zakonisht u themi prindërve të bëjnë matjen e temperaturës dhe fëmijëve t’u jepen antipiretik. Vaksinat janë të sigurta dhe efektive. Kjo gjendje është rezultat i fushatës anti-vaksinale, sepse këto sëmundje është dashur të çrrënjosen dhe të mos paraqiten më”,- theksoi mjekja, Daniella Markovska.
 
“Unë jam pro vaksinimit. Deri më tani të gjithë jemi vaksinuar dhe nuk kemi pasur pasoja nga kjo, edhe fëmijën tim do eta vaksinoj rregullisht”,- theksoi një prind.
 
Punktet e vaksinimit në klinikat Bukuresht, Bit Pazar dhe Jane Sandanski kanë filluar të punojnë në dy ndërrime, prej orës 7 e 30 deri në orën 19.
 
Ndërkohë, prindërit që nuk do t’i vaksinojnë fëmijët e tyre rrezikojnë të paguajnë gjobë në vlerë prej 350 deri më 650 euro.
 
FLUTURA LATIFI