Maqedoni

Periudhë “e nxehtë” në Greqi, partitë ende të ndara rreth Marrëveshjes së Prespës

09.01.2019 15:09

Teksa afrohet momenti kur Marrëveshja e Prespës do të arrijë në Parlamentin grek, termometri politik në Greqi po prek majat e nxehtësisë përvëluese....

Koalicioni qeverisës vazhdon të mbetet në këmbë të qelqta dhe pritet që partnerët e koalicionit, Aleksis Cipras dhe Panos Kamenos, të premten të mbajnë takim për të ardhmen e bashkëpunimit mes tyre. Takimi duhej të mbahej sot, por u shty për shkak të vizitës së nesërme në Athinë të kancelares Merkel.
 
Problematike vazhdon të mbetet qëndrimi i palëkundur aktualisht i Demokracisë së Re të Kirjakos Micotakisit. Edhe ai nesër do të takohet me kancelaren gjermane dhe Marrëveshja e Prespës padyshim që do të jetë temë diskutimi. Kabineti i kryeministrit grek, Aleksis Cipras, i bëri thirrje Micotakist të parashtrojë propozim për votim të mosbesimit të Qeverisë.
 
“Hipokrizia e Demokracisë së Re e cila tashmë tre vjet kërkon zgjedhje dhe tani akuzon për gjoja pasiguri, i kalon të gjitha kufijtë. Kjo parti mund t’i zgjidhë të gjitha dilemat nëse lideri i saj, Micotakis, është i gatshëm ta zbatojë kërcënimin që e paralajmëron aq kohë dhe të parashtrojë propozim për votim të mosbesimit të Qeverisë në Parlament, që të tregohet fuqia e tij”,- vlerëson Kabineti i Ciprasit.
 
Partia politike greke, Potami, mbështet Marrëveshjen e Prespës, por jo edhe qeverinë aktuale greke dhe ripërsërisin se nëse Grekët e Pavarur tërhiqen nga shumica qeveritare, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
 
Në prag të takimit të nesërm  me kancelaren gjermane por edhe takimit mes tyre të paralajmëruar për të premten, Cipras dhe Kamenos kanë vendosur të dalin në intervista të veçanta në dy televizione për të këmbyer kështu porositë paraprake ndaj  njëri-tjetrit, përmes mediave.