Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, “Maqedonia bllokon”, me protestë para kuvendit; Mickovski: nuk i japim legjitimitet ndryshimit të kushtetutës

09.01.2019 16:40

Mbështetës të iniciativës “Maqedonia bllokon” protestuan para kuvendit kundër Marrëveshjes së Prespës, derisa brenda objektit zhvillohet faza finale e ndryshimeve kushtetuese...

Protestuesit thonë se po mbrojnë emrin dhe identitetin maqedonas dhe  akuzuan shumicën parlamentare për tradhti ndaj interesave nacionale.
 
“Nëse arrijmë ta ndalim këtë proces do të festojmë, por nëse ndryshohet atëherë asgjë nuk do të mbetet e njëjtë në Maqedoni. Me vite jemi duke luftuar ta mbrojmë dhe do ta mbrojmë, Maqedonia do t’ia dalë”,- tha njëri nga organizatorët e protestës.
 
“Sot duhet t’i ndalojmë ata që të kryejnë tradhtinë kombëtare. Dalja në rrugë është vetëm njëra mënyrë e kundërshtimit, kurse tjetra fazë pason me anë të presidentit Ivanov. Kjo qeveri marionete nuk dëshiron të dëgjojë vullnetin e popullit”,- tha organizatori i protestës, Janko Baçev.
 
Protestës iu bashkuan edhe deputetët e VMRO-së me në krye vetë kreun e opozitës, Kristian Mickovskin.
 
Por, edhe pse refuzoi të mbajë fjalim para protestuesve, Mickovski sërish pranoi të japë më pas deklaratë për mediat për të potencuar se opozita kurrë nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese, madje akuzoi pushtetin se po mbledh votat që i duhen përmes kërcënimeve dhe shantazheve.
 
“Në ndryshimin e Kushtetutës me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues të vendit arrihet përmes një rruge jodemokratike, përmes aktit të dhunës ndaj procedurave, nënçmimit dhe kërcënimeve ndaj deputetëve, si dhe ndaj të afërmve të tyre. VMRO-DPMNE dhe Koalicioni nuk do të marrin pjesë në këtë proces dhe si parti politike nuk do të japim legjitimitet për ndryshmin e kushtetutës, pasi këto ndryshime nuk kanë legjitimitet as nga qytetarët. U bëj thirrje të na bashkëngjiteni dhe të qëndrojmë të bashkuar edhe pse duan të na e marrin dinjitetin”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
 
Protestat para Kuvendit do të vazhdojnë.
 
ZEKIRIJA MEXHITI