Maqedoni
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, Qeveria: Të formohet para presidencialeve
09.01.2019 17:07
Qeveria kërkon që Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit të formohet para zgjedhjeve presidenciale...
Ligji do të rikthehet në procedurë kuvendore me flamur evropian si pjesë e ligjeve reformatore, thonë nga Qeveria, nga e cila presin që edhe opozita të marrë pjesë në miratimin e tij.
“Veç më është dhënë mendim pozitiv në Komisionin Evropian për propozim ligjin për parandalimin e korrupsionit. Kjo është arsyeja themelore për të cilën shkohet me flamur evropian dhe do të hyjë në procedurë kuvendore. Shpresojmë se opozita do të marrë pjesë në miratimin e tij”,- tha zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Nga LSDM, ndërkohë, akuzojnë opozitën se po e frenon zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit anti-korrupsion, duke e kushtëzuar sjelljen e ligjit. Theksojnë se VMRO-DPMNE është për luftë të rrejshme dhe deklaratave kundër krimit dhe korrupsionit.
“Nëse do të angazhoheshin me të vërtetë për të luftuar korrupsionin, VMRO-DPMNE nuk do të kërkonte që Komisioni të mos ketë qasje direkte tek llogaritë e funksionarëve. Nuk mund të ketë luftë të vërtetë kundër korrupsionit, nëse Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si institucion i pavarur, i cili është jashtë pushtetit ekzekutiv, nuk i kontrollon llogaritë e funksionarëve të zgjedhur. Për ta dobësuar pozicionin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, VMRO-DPMNE propozon edhe formimin e një këshilli nacional”,- u shpreh Aleksandar Kiracovski nga LSDM.
Përderisa Qeveria akuzon opozitën se nuk dëshiron që Komision i pavarur të kontrollojë financimin e partive dhe të ketë qasje në llogaritë e funksionarëve, opozita vlerëson se vendi po fundoset në korrupsion.
“10 muaj nuk ka Komision për Parandalimin e Korrupsionit, ndërsa vetëm javën e parë të vitit 2019 ndodhën dy skandale. I pari ka të bëjë me atë se bashkëshorti i pakurorëzuar i ministres së punës dhe politikës sociale, Mila Carovska, ka fituar 1.5 milion denarë para popullore dhe tjetri se bashkëshortja e zëvendësministrit të ekologjisë, Jani Makraduli, ka fituar 5,4 milion denarë”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Kjo parti konsideron se duhet formuar komision për parandalimin e korrupsionit, i cili nuk do jetë marionetë e kryeministrit dhe ekipit të tij.
FLUTURA LATIFI
