Maqedoni
Epidemia e fruthit, edhe 2 të infektuar, janë vaksinuar vetëm 10%
09.01.2019 18:21
Në Klinikën për sëmundje infektive janë pranuar edhe dy fëmijë tek të cilët është paraqitur fruthi. Bëhet fjalë për 2 fëmijë të cilët kanë qenë të pavaksinuar....

Me këtë numri i të hospitalizuarve që janë pranuar në klinikë prej fillimit të epidemisë shkon në 13, disa prej të cilëve janë lëshuar edhe në kurim shtëpiak. Gjendja e të infektuarve për momentin është stabile. Janë hospitalizuar edhe dy të rritur, një i vaksinuar vetëm një herë me vaksinën MRP dhe tjetri me status të padefinuar imunitar.
“Për momentin ka 8 pacientë të hospitalizuar në Klinikën për Sëmundje Infektive me pasqyrë klinike të morbileve, 6 prej tyre janë vërtetuar edhe me analizat laboratorike, ndërsa për 2 pacientë të tjerë ende presim vërtetim serologjik edhe pse kanë pasqyrë të qartë të morbileve. Për momentin të gjithë pacientët janë në gjendje stabile, ata që ishin në gjendje më të keqe tashmë gjenden në një fazë të përmirësimit”,- Sanja Petrushevska nga Klinika infektive.
Ministri i shëndetësi, Venko Filipçe, thotë se nga fillimi i epidemisë deri tani janë vaksinuar vetën 10% e fëmijëve të pavaksinuar, apo rreth 1300 fëmijë. Ende janë në vijim hetimet në ndërmarrjen “Makedonija Lek”, e cila akuzohet për lëshime në datat me afat të skaduar. Ministri Filipçe thotë se do të kërkojë përgjegjësi nga të gjithë ata të cilët kanë bërë lëshime të tilla.
“Çdokush do të mbajë përgjegjësi në përputhje me ligjin. Bëjmë hapa seriozë që ta forcojmë sistemimin tonë shëndetësor, nuk do të lejojmë lëshime të këtilla. E kemi identifikuar inicialisht se ku është bërë lëshimi dhe do të vazhdojmë me sanksione atëherë kur ajo do të vërtetohet zyrtarisht”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Në inspektimin e jashtëzakonshëm që këtë fundjavë ka bërë Ministria e Shëndetësisë me Inspektoratin Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor dhe Byronë e Barnave u gjetën paketa vaksinash me një afat të mirë të depozitimit, por deklarimet në gjuhën maqedonase ishin me afat të skaduar. Gjobat që mund t’i ketë kompania importuese dhe shpërndarëse e vaksinave MRP janë marrja e licencës për punë apo dëmshpërblimi në para, që mund të shkojë deri në 50 mijë euro. Për kontroll të vaksinave do të vijnë edhe inspektorë nga firma prodhuese belge.
GAZMEND KURTESHI
