Qeveria dhe Lëvizja Besa, ende pa marrëveshje
Qeveria dhe 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja i kanë ofruar Lëvizjes Besa,..

Qeveria dhe 8 deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja i kanë ofruar Lëvizjes Besa, krahu i Bilall Kasamit, që kërkesat e tyre të artikulohen në të veçantë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese.
Mbrëmë, përfaqësues të Besës janë takuar me 8 deputetët e përjashtuar, qëndrimi i të cilëve ka qenë i ndarë, respektivisht një pjesë e tyre pranon kërkesat e Besës ndërsa pjesa tjetër jo.
Jozyrtarisht mësohet se kryeministri, Zoran Zaev, ka ofruar garanci në të shkruar dhe me firmën e tij, se kërkesat e Besës do të realizohen pas ndryshimeve, por partia opozitare shqiptare është e vendosur që kërkesat e tyre për shtetësi pa termin “maqedonase” të pranohet tani.
Derisa Zaev ankohet se kërkesat e Besës janë të papranueshme për 8 deputetët, këta të fundit thonë se problemi i Lëvizjes Besa është me Qeverinë dhe nuk duan të ndërhynë. Takime do të ketë edhe para fillimit të seancës së thirrur në orën 13:00.
